Vetëm pasi u pajtua Beogradi, serbët iu kthyen punës në institucionet e Kosovës

Lista Serbe i ka dhënë fund bojkotit disamujor në institucione.

Nga Kuvendi i Kosovës shefi i deputetëve serbë ka treguar se kthimi i tyre u bë në pajtim me Qeverinë e Serbisë, raporton koha.net, përcjell Portalb.mk.

Ai tha se u kthyen për të punuar për interesat e serbëve në Kosovë, e para së gjithash për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Simiq deklaroi se do ta kundërshtojnë formimin e ushtrisë sepse është në kundërshtim me rezolutën 1244.

“Nuk e përkrahim projektligjin për ushtrinë, sepse është në kundërshtim me rezolutën 1244. Nuk dëshirojmë të marrim pjesë në procese, të cilat janë në kundërshtim me Rezolutën 1244. Nuk mendoj që është e nevojshme të hyhet në aranzhmane për transformimin e FSK-së në ushtri pa mbështetjen e faktorit ndërkombëtar dhe pa ndryshime kushtetuese, si dhe pa mbështetjen e pakicave”, ka thënë Simiq.

Simiq ka folur edhe për demarkacionin, duke thënë se duhet arritur konsensus mes PDK-së e LDK-së.

“Sa i përket ratifikimit të marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi ne kemi qenë të përfshirë dhe do të bisedojmë si brenda Listës Serbe edhe me partnerët në koalicion, mirëpo duket që nuk ka konsensus mes LDK-së dhe PDK-së, pra do të shikojmë qëndrimin e tyre zyrtar dhe do të vendosim”, ka thënë ai.

Por, jo gjithçka u kishte shkuar mirë serbëve në ditën e parë pas kthimit në Kuvend.

Ndërsa, Glauk Konjufca nga Vetëvendosje tha se është lajm i keq për Kosovën nëse kthimi i serbëve ka ndodhur si kompromis për asociacionin. Sa i përket formimit të ushtrisë, Konjufca po sheh zbehje të deklaratave nga presidenti i shtetit. Ai ka kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje, sepse, sipas tij, tashmë edhe sheshazi kanë dalë përçarjet mes koalicionit.

Por, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, nuk e di nëse ka probleme mes koalicionit dhe nuk e di nëse vendi do të shkojë në zgjedhje. Ai thotë se për këtë vendosin liderët e koalicionit. Haliti ka treguar se këtë javë Kuvendi do të t’i ketë dy seanca plenare.

Të enjten do të jetë seanca me pikat që janë përcjellë që nga 9 shkurti e të premten një seancë e re plenare, ku do të ketë interpelanca e debate parlamentare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button