Menduh Thaçi “kërkon kokën” e Ziadin Selës

Shkëlzen Beqiri

Kjo që po ndodh këto ditë në PDSH me degën e Strugës nuk është diçka e papritur. Ajo që nuk dihej në këtë histori ishte vetëm momenti se kur do të shpërthente përplasja. Njerëzit nuk ndryshojnë në moshën 60 vjeçare dhe nëse dikush ka menduar se Menduh Thaçi do të ndryshojë mënyrën e veprimit pas 20 vjetëve të qenies së tij në skenën politike vetëm sa e ka mashtruar veten.

Rasti i Imer Selmanit ishte një mësim i madh për Kryetarin e PDSH-së, i cili në ngjarjet që rrodhën më pas, me veprimet e veta, e bëri të qartë se nuk do ta lejonte t’i përsëritej fenomeni i njejtë. Kjo dukej pikë së pari në listat pasuese për deputetë të PDSH-së. Kriteri i vetëm për tu zgjedhur deputet apo në poste tjera të larta duhej të ishte besnikëria ndaj kryetarit të partisë.

Secili e ka ende në kujtesë se si Kryetari i PDSH-së e pat hequr nga lista e deputetëve ish-sekretarin e PDSH-së, Metin Izetin, duke ja pat dhënë atij ta lexonte listën pa emrin e vet. Për të njejtën arsye, dyshimin se mund të mos i qëndronin besnik, ai nuk kishte lejuar asnjëherë kandidimin për deputetë të intelektualeve si Mirushe Hoxha, Azem Ismani apo Vlera Ejupi, sado që atyre u kishte dhënë formalisht poste të larta partiake.

Në listë për deputetë mund të hyjë secili, por askush nga ata tek të cilët Menduh Thaçi nuk ka besim. Krahasoni listën e deputetëve të deritanishëm të PDSH-së, me listat e reja që do të kandidojnë në zgjedhjet e 27 prillit. Janë krejt të njejtët persona: Menduh Thaçi, Imer Aliu, Merale Ferati, Gazmend Aliu, Bekim Fazliu dhe Orhan Ibrahimi. Aty ka vetëm dy ndryshime tmerrësisht negative. Në vend të Arbër Xhaferrit të ndjerë, tani  i dyti në listën e nëjsisë zgjedhore 6 është, kush tjetër pos Ernad Fejzullahut, ndërsa në vend të Ziadin Selës (Bekim Qokut) bartës liste në njësinë zgjedhore 5 është Zija Jonuzi, një peson tepër negative me një imazh të keq në elektoratin strugan, por që i shkon shumë mirë kriterit të Thaçit për besueshmëri. Në Shkup, si rregull, kryetari i PDSH-së ka preferuar persona të cilët nuk kanë të kryer më shumë se shkollën e mesme, kusht që tani e plotësojnë Bekim Fazliu dhe Muhamet Thaçi. Kështu bëhet bashkë një shoqëri e vogël, e përzgjedhur, por e besueshme e Kryetarit të PDSH-së.

Ziadin Sela prej kohësh ka qenë pikë dyshimi për Kryetarin e PDSH-së. Rritja e famës së tij brenda grupit parlamentar nuk është parë me sy të mirë nga kryetari i partisë. Në sytë e tij po kristalizohej një Imer Selman i ri. Hapësira e madhe mediatike që Alsat-M i ka dhënë Selës ka shtuar dyshimet e Thaçit se Sela po përgatitej nga kundërshtarët e tij që t’ja rrezikojë pozitën në skenën politike. Ngritja e Selës, ka ngritur dyshimet për rrezik në mendjen e Thaçit. Instikti mbrojtës i kryetarit ka qenë i aktivizuar tërë kohës dhe instikti të shtyn të veprosh me dikënd njësoj siç ke vepruar me të tjerët në të kaluarën dhe për këtë kryetari i PDSH-së njihet mirë.
Edhe Ziadin Sela e dinte mjaft mirë se Thaçi nuk besonte fare se PDSH-ja mund ta fitonte komunën e Strugës, por e pat kandiduar atë vetëm për ta djegur politikisht, duke siguruar vota të mjaftueshme për PDSH-në. Sela nuk kishte si kundërshtonte. Ai e pranoi sfidën duke bërë disa poteza të zgjuar, pikë së pari duke marrë në gjirin e PDSH-së një person me ndikim në zonën e Llabunishtës, aty ku PDSH-ja çalonte më së shumti si dhe duke shfrytëzuar përçarjen e madhe të BDI-së në Strugë. Sela fitoi aty ku BDI-ja ka qenë dy herë më e fortë se PDSH-ja. Marrja e komunës forcoi pozitën e Selës dhe rriti rejtingun e tij. Kjo duhet t’i ketë pëlqyer secilit në PDSH, perveç kryetarit të saj. Në një situatë kur PDSH-ja dhe kryetari i saj, humbi pothuajse të gjitha komunat dhe mbeti pa asnjë pushtet, duke përfshirë edhe Tetovën, forcimi i Selës në Strugë duke marrë pushtetin lokal, nuk ishte lajm i mirë për kryetarin e PDSH-së.

Thaçit, Sela po i dilte nga kontrolli. Prandaj Thaçi vazhdoi ta testojë besnikërinë e tij, herë duke e detyruar të marrë vendime të imponuara (siç ishte rasti i koalicionimit të Selës me VMRO-në në komunë apo urdhërimi për të vendosur njerëz të preferuar të Thaçit në disa poste drejtuese në Strugë), herë duke e injoruar duke mos i dhënë asnjë post me rëndësi në krye të partisë, sado që ai e meritonte këtë, e herë duke e futur në ujra të turbullta, duke tentuar ta njollos e t’ja ul rejtingun Selës, siç ishte rasti me propozimin e Thaçit që Sela të ishte kryetar i ekipit që do të bisedonte për ngjarjen e trilluar nga ai, shkrirjen e RDK-së në PDSH.
Sado që të gjitha këto mund të përbënin përplasje, ato u kaluan disi. Megjithatë, siç duket kupa erdhi duke u mbushur pak nga pak dhe veprimi i fundit i kryetarit të PDSH-së për të vënë bartës liste në njësinë zgjedhore 5 një person që përveç besnikërisë servile ndaj Thaçit nuk plotëson asnjë kriter tjetër, duket se ka përbërë një kafshatë që nuk ka mundur të gëlltitet nga Sela dhe pasuesit e tij. Mbase Sela këtë moment e ka parë si moment unifikues rreth tij të të gjithë degës së PDSH-së në Strugë, duke ditur mosdakordimin e pothuajse të gjithë të tjerëve me kandidatin e Thaçit. Thaçi e ka bërë të qartë se ai e ka pas halë në sy Selën dhe nuk i ka besuar atij, prandaj rastin e bartësit të listës e ka parë si mundësinë më të mirë për t’i qëruar hesapet me të. E vetmja hapësirë që Thaçi i ka lënë Selës brenda PDSH-së është të qenit një marionetë e dëgjueshme verbërisht ndaj kryetarit të partisë, pa pasur të drejtë të bëjë vet qoftë edhe veprimin më të vogël, deri në momentin kur Thaçi do të vendoste t’ja fuste atij shkelim përfundimtar. 

Por i verbuar nga interesi dhe arroganca personale kryetari i PDSH-së siç duket nuk i ka bërë llogaritë mirë. Tashmë duket se gjërat kanë shkuar shumë larg dhe kthimi prapa do të jetë pothuajse i pamundur. Autoriteti i Selës në Degën e PDSH-së në Strugë është i padiskutueshëm dhe Thaçi do ta ketë të vështirë të shkojë më në Strugë, pos si kaçak. Zgjedhjet e dyfishta janë afër dhe mosmbështetja e Degës së PDSH-së për kandidatët e partisë mund të çoj në debakël të rëndë të kësaj partie. Kandidatura për president e Iljaz Halimit mund të përfundojë me një dështim të madh, nisur jo vetëm nga mosinteresimi i shqiptarëve për zgjedhjet presidenciale, imazhi negative i kandidatit të PDSH-së por edhe nga bojkotimi nga Dega e Strugës. Ky rezultat i dobët i PDSH-së dy javë para zgjedhjeve parlamentare mund ta demoralizojë më keq elektoratin e PDSH-së edhe ashtu të lodhur me humbje të panumërta dhe rezultati i zgjedhjeve të 27 prillit mund të përbëjë pikë kthesën në skenën politike opozitare. Për ta treguar edhe më shumë peshën e vet dhe për ta bërë më të thellë debaklin e politikës së Thaçin në zgjedhje, Sela dhe Dega e PDSH-së në Strugë mund të mbështesin në prapavijë një kandidat tjetër opozitar në vend të atij të PDSH-së.  Drejtimi i gishtit të të gjithëve nga Thaçi pas zgjedhjeve si faktori kryesor i dështimit të vazhdueshëm të PDSH-së është momenti që do ta ngris Selën në skenë si alternativa e re e PDSH-së. Kjo do të jetë çarja e madhe që tashmë ka nisur dhe që mund ta çojë Thaçin në greminë, prandaj Sela do ta pres edhe pak momentin e tij. Nëse ai nuk do të mund ta rrëzojë Thaçin nga brenda PDSH-së, alternativa tjetër do të jetë po aq shkatërrues për Menduh Thaçin. Shkëputja e Selës bashkë me degën e Strugës dhe të gjithë të tjerët në Shkup, Kumanovë e Tetovë, që janë të lodhur dhe të mërzitur nga uzurpimi i partisë nga Thaçi mund të çojnë në një rirreshtim në skenën politike shqiptare në Maqedoni. Bashkëpunimi i Selës me pjesën tjetër të partive opozitare shqiptare do të sjellë me vete forcimin e madh të opozitës, ndërkohë që Thaçi me partinë e tij private gjithnjë e në zvogëlim, do të përfundonte rrugës së PPD-së. Kjo mund të shënojë fitoren e fundit të BDI-së në zgjedhjet parlamentare të 27 prillit 2014 dhe fitoren e parë të opozitës së bashkuar kundër BDI-së në zgjedhjet pasuese.

                                                                                                                       

Lajme të ngjashme

Back to top button