Vidiç: I lumtur për kalimin te Interi

Nemanja Vidiç është blerja e tretë e presidentit të ri të Interit Erick Thohir pas italianit Danilo D’Ambrosio dhe brazilianit Anderson Hernanes.

Mbrojtësi serb, i cili ka spikatur me nivelin e lartë që ka treguar në vitet e fundit do të transferohet te Interi me parametër zero në verën e ardhshme pasi i përfundon kontrata me Manchester United.

Sipas të gjitha gjasave Vidiç do të jetë pjesë e formacionit të Interit në sezonin 2014-2015, por pavarësisht se transferimi i tij te klubi milanez është zyrtarizuar, Vidiç në këto momente është I përqëndruar ta mbyllë sa më mirë sezonin me Manchester United, transmeton Supersport.

“Kemi ndeshje të rëndësishme përpara dhe do të më pëlqente të isha në fushë. Do të bëj ç’është e mundur për të ndihmuar sa më shumë Manchester United ta hedhë pas krahëve këtë moment negativ”.

Në sajtin zyrtar të Manchester United, 32-vjeçari teksa konfirmoi largimin e tij në fund të sezonit foli edhe për periudhën që ka kaluar në “Oll Traford”.

“ Në fund të sezonit, një pjesë shumë e rëndësishme e jetës time dhe e karrierës sime do të përfundojë. Është e trishtueshme. Gjatë viteve që kam qëndruar këtu kam kaluar momente shumë të mira por edhe momente negative. Kam qenë pjesë e skuadrës në arritjen e shumë sukseseve dhe kam punuar me persona fantastikë që më kanë ndihmuar të rritem si futbollist. Por kjo është jeta dhe duhet ecur përpara”.

Megjithatë në fund të intervistës Vidiç u dha një sinjal të qartë edhe tifozëve të Interit.

“Jam shumë I lumtur për transferimin te Interi dhe mezi po pres momentin për të nisur aventurën time të re”.

Lajme të ngjashme

Back to top button