Bukuritë e “Urës së Drerit” do të shndërrohen në atraksion turistik (FOTO)

Në suazat e programit regjional dhe trashëgimisë kulturore të Evropës Juglindore që e realizon Këshilli Evropian nëpërmjet “Pilot projektit për zhvillim ekonomik lokal në Dibër dhe Rekë” vendosën që këtë pjesë të vendit ta shndërrojnë në atraksion turistik për zhvillim të vendeve rurale, theksoi kryetari I komunës Mavrovë-Rostushi, Mukrem Mehmedi.

Nga banorët e fshatit Mogorçë dëgjuam edhe legjendat e urës së Drerit, e përcjellur nga një gjeneratë në tjetrën dhe këtë e rrëfen  edhe kryetari Mehmedi.

Ura e Drerit  është e ndërtuar mbi lumin Radikë, në 600 metra nga ura e Boshkut në aksin rrugor Dibër-Gostivar. Ndërtimi i saj me një arkitekturë të spikatur që rrallë herë e vëren ne vendet piktoreske, është urë takimi për të dashurit dhe të sapomartuarit.  

Ura që është e pagëzuar me këtë emër, ngërthen në vete tre legjenda të ndryshme se si ajo e ka marrë emrin e saj “Ura e Drenushës” rrëfen kryetari Mehmedi.

Sipas legjendës së parë, ura është ndërtuar për të kujtuar djaloshin i cili për të ruajtur nderin e të dashurës ka vrarë një turk. Pas ngjarjes, turqit kanë dërguar ushtri të madhe që të kapin trimin. Ai ka arritur deri te lumi në afërsi të fshatin Gajre.   Zanat e malit  e kanë shndërruar në dre dhe shumë lehtë e ka kapërcyer lumin Radikë që gërshetohet më lumin e Tresançes.  Në shenjë të mirësisë së zanave, më vonë fshatarët e Gajres  kanë ndërtuar Urën e drerit.

Legjenda e dytë ka të bëjë me një turk  i cili me ushtrinë e tij ka dashur të gjuan dren  i cili çdoherë u ka ikur. Edhe pse ka qenë i plagosur ai nuk ka dashur që të bëhet pre e turqve .Dreri u gjind në bregun e lumit të Gajres  i cili është hedhur në anën tjetër të bregut dhe ka vdekur. Për nder të trimërisë së këtij dreri , turku   ka urdhëruar të ndërtohet Ura e drerit.

Legjenda e tretë e cila është më e dëgjueshme ndër dibranët dhe banorët e Gajres  ka të bëjë me një gjuetar i cili ka dalë të gjuan dre në malin Stogovë , në afërsi të fshatit Mogorçë. Ai ka parë drerin dhe ka dashur që ta vret, por sytë e tij e kanë magjepsur dhe prej atë ditë janë bërë shokë të pandarë. Banorët e këtij fshati kanë dashur që ta vrasin drerin e ëmbël,  ndaj duke vrapuar ka thyer të dy këmbët. Në kujtim të drerit të fuqishëm banorët ndërtuan këtë urë gjigante me bukuri mbinatyrore.

Ura e Drerit, ka misteret e saj të bukurisë, ka arkitekturë të vjetër ku  pjesa  e sipërme është e ndërtuar më gurë. Dibranët e sapomartuar gjejnë prehje emocionale me fotografitë  e tyre në këtë urë që e trajtojnë si ura e dashurisë. 

Ka plot turistë që vizitojnë këtë urë, thonë banorët e fshatit Gajre dhe Mogorçë. Në të ka plot mistere,ka  shumë legjenda,  edhe ne nuk i dimë të gjitha,  por bukuria e kësaj ure   dhe zhurma e  lumit Radikë dhe  Tresançes janë dëshmi e një arkitekture të bukur, është pikërisht drenushë mali, theksuan banorët e Gajres.

Lajme të ngjashme

Back to top button