fbpx

Partitë ‘lideriste’ zgjedhin kandidatët më të dëgjueshëm

Se çfarë deputetësh do të na përfaqësojnë në institucionin ligjvënës, pas zgjedhjeve të prillit, nuk varet nga cilësitë apo aftësitë që po posedojnë, mjafton të jenë dëgjues të mirë dhe të përshtatshëm për liderët e partive.

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se ndonëse partitë politike shqiptare kanë emërtime demokratike, në të shumtën e rasteve ato janë parti lidersite. “Rrjedhimisht kjo flet se tek këto parti demokracia nuk është zhvilluar në stadin e duhur për të cilin flasin në opinion”, shprehet për Portalb, Ismail Sinani, gazetar dhe njohës i çështjeve politike.

Në vijë të njejtë, edhe Xhelal Neziri vlerëson se përzgjedhja e kandidatëve për deputetë nuk bëhet ne bazë të kritereve dhe statuteve partiake. Kusht kryesor është lojaliteti apo dëgjueshmëria pa kusht ndaj liderit apo sherifëve lokalë.

“Gjatë përpilimit të listave liderët gjithnjë këmbëngulin të vendosin njerëzit e tyre të besueshëm me qëllim që të mos lënë hapësirë për “dezertime” si deputetë. Shpesh këto njerëz nuk kanë vlera individuale kështu që karriera dhe postet e tyre politike varen kryesisht nga afërsia me liderin. Kjo praktikë e politikës kadrovike të partive nuk ka asnjë pikëtakim me demokracinë si sistem, ku vlerat dhe meritat determinojnë vendet në lista”, theksoi Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike.

“Rasti i fundit me zhvillimet në degën e PDSH-së në Strugë është rast më eklatant se si liderët e partive politike, subjektet të cilët i drejtojnë i konsiderojnë në një far mënyre si prona të tyre private që nuk do të thotë se edhe te partitë e tjera nuk e bëjnë të njejtën gjë, por tek disa këto zhvillime kushtimisht thënë brenda partiake nuk manifestohen në opinion”, shprehet Ismail Sinani, gazetar dhe njohës i çështjeve politike.

Kjo sipas analistëve është arsye përse kemi përbërje të dobëta parlamentare, me deputetë që luajnë rolin e makinës votuese.

Sipas Nezirit, dalje nga kjo situatë ndoshta do të ishte e mundur me sistem zgjedhor me lista të hapura.

Megjithatë në situata të atilla, sipas Sinanit, mund të paraqiten figura politike të cilat do të rrezikonin postin e liderit, sepse mund të ndodh që kandidatë për deputetë të fitojë më shumë vota se sa kryetari i një subjekti të caktuar politik./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button