Osmani: Në Karposh duam tri pikë

E shtuna sjell ndeshjet e Ligës së dytë të xhiros së 18-të, ndërsa skuadra e KF Shkupi do të tentojë të vazhdojë paraqitjet e mira, kur në lagjen e Karposhit do të jetë mysafire e Lokomotivës. Kjo ndeshje vjen në një moment kur Shkupi është në formë të mirë, pasi në javën e fundit ka shënuar fitore të lartë ndaj një prej rivalëve të drejtpërdrejtë për ekzistencë. 

Skuadra ka punuar në kushte tejet të mira që duelin ndaj Lokomotivës ta pret sa më e përgatitur. Në mesin e futbollistëve ka një frymë shumë pozitive dhe të gjithë mendojnë se këtë duel do të arrijnë të shënojnë dhe fitoren e parë si mysafire. Javën e kaluar Florent Osmani u regjistrua në listën e golashënuesve dhe kështu duke shënuar golin e tij të parë në fanellën e Shkupit, që kur erdhi nga KF Gostivari.

 “Kemi punuar intensivisht gjatë gjithë javës dhe mendoj se jemi shumë të përgatitur. Fitorja ndaj Skopjes na ka dhënë vullnet shtesë që të vazhdojmë të kërkojmë në kontinuitet suksesin, ndërsa për këtë pa dyshim se ka qenë edhe përkrahja që morëm të shtunën e kaluar në stadiumin e Çairit nga tifozët tanë. Në këtë ndeshje shkojmë për të marrë tri pikë të plota dhe për të vazhduar serinë e fitoreve”, është shprehur Osmani i cili edhe në këtë ndeshje pritet të jetë një nga futbollistët që do të sulmojnë kundërshtarët. 

Te skuadra e Shkupit edhe këtë ndeshje do të mungojë Mevlan Adili shkaku i kartonit të kuq, pastaj Mumin Sallai që ende nuk ka tejkaluar lëndimin, ndërsa sipas trajnerit Zekrija Ramadani do të mungojë edhe Emir Shabani i cili gjatë stërvitjes së fundit kishte lënduar këmbën. Stafi teknik duke mos dashur të rrezikoj me Shabanin, ka vendosur që ta lejë të lirë. Ndeshja Lokomotiva – Shkupi do të luhet në stadiumin e Karposhit të shtunën në orën 14:00. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button