Përfundon pjesa e parë, Italia në epërsi

Pas 45 minutave të parë “azurët” janë në epërsi ndaj kombëtares kuqezi me rezultat 1:0, me golin e shënuar në minutën 12 nga penalltia përmes De Rossi

Ndeshja ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë është e vlefshme për kualifikimet e botërorit “Rusia 2018” dhe po luhet në stadiumin “Renzo Barbera” në Palermo, transmeton 21 Media.
Shqipëria shumë mirë e filloi takimin. Qysh në minutën e parë Çikaleshi pati një rast të mirë, por goditja e tij përfundoi jashtë portës. Në minutën e tretë serish kombëtarja kuqezi pati një rast të volitshëm, por Roshi nuk u tregua i vëmendshëm.

Italianët rrezikuan për herë të parë në takim nga goditja e këndit në minutën e tetë, por që gjithçka përfundoi mirë për kuqezinjtë .

Në minutën 12 u akordua penallti për italianët. Ishte një moment i dyshimtë pas një goditje dënimi. Belotti pati një kontakt me Bashën dhe arbitri akordoi 11-metërsh, të cilin e realizoi De Rossi, ndërsa Memushaj u ndëshkua me të verdhë për protesta. Njëherësh ky ishte goli i 20-të i De Rossi për kombëtaren italiane.

Në minutën 18 Italia rrezikoi serish portën shqiptare, por ishte portieri Strakosha që nuk lejoi të befasohej.

Minuta 23 ishte një mundësi e mirë për Odise Roshi, i cili i shkëputet mbrojtësve italianë, por godet lehtë dhe Buffon pret me lehtësi. Një minutë më vonë me karton të verdhë u ndëshkua Agolli, i cili do të mungojë në ndeshjen e radhës.

Belotti në minutën 28 pati rast të mirë për Italinë të dyfishojë shifrat, por goditja e tij përfundoi jashtë portës. Dy minuta më vonë Italia rrezikoi përmes një goditjeje dënimi, por topi përfundoi në fundore.

Prapë De Rosi në minutën e 40-të e rrezikoi portën e Shqipërisë, por topi shkoi mbi portë. Tre minuta më vonë ishte Shqipëria ajo që rrezikoi para portës kundërshtare, por që Roshi nuk arrin të koordinohet brenda zonës.

Në kundërsulm Italia rrezikoi përmes Belotti, por ishte portieri Strakosha që priti goditjen e tij duke e dëbuar në korner.

Shqipëria ka mundur të barazojë shifrat krejt në fund të pjesës së parë, por ishte Roshi ai që nuk arriti të shënojë ndonëse pati rast të mirë.

Për Italinë, ndeshja me kombëtaren shqiptare ka rëndësi të madhe, pasi “azurët” janë në një duel në distancë me Spanjën për kualifikimin direkt në Botërorin 2018 dhe një fitore me kuqezinjtë do t’i ndihmonte ndjeshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button