Ja çfarë dënimesh i presin kosovarët që luftojnë jashtë vendit

Kuvendi i Kosovës është duke shqyrtuar Projektligjin për ndalimin e bashkimit të konflikteve të armatosura jashtë territorit të vendit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka thënë se me qëllim të mbrojtjes së interesit shtetëror dhe sigurisë kombëtare, ministria ka marrë iniciativë për hartimin e këtij projektligji.

Sipas tij, kohëve të fundit është vërejtur një trend i rritjes së numrit të individëve të cilët me rritjen e vatrave të krizës në botë e me qëllim të realizimit të përfitimit të sferave të tyre të interesit po bashkëngjiten në formë të organizuar apo të pavarur në kryengritje apo konflikte të ndryshme jashtë vendit.

Anton Çuni, nga LDK, ka thënë se në parim e mbështesin projektligjin duke marrë përsipër që në kuadër të komisioneve të japim sugjerimet dhe propozimet tona në lidhje me shumë çështje të cilat ligjin do ta bëjnë funksional dhe të zbatueshëm.

Kurse, Visar Ymeri, nga VV-ja ka thënë se ligji është gjeneralizuar dhe e sanksionon një gjendje e cila del përtej përmasave të aktuales dhe do të ketë jehonë afatgjatë edhe në të ardhmen. Ai ka thënë se nëse është ideja e parandalimit të qytetarëve të Kosovës në organizatat terroriste apo grupet terroriste atëherë kjo gjë duhet të rregullohet me një ligj kundër terrorizmit.

Në këtë projektligj, përcaktohen si vepra penale të bashkimit apo pjesëmarrjes në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individuale, në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Dispozitat e këtij ligji parashihet të zbatohen ndaj çdo personi, i cili merr pjesë apo organizon, rekruton, financon, nxit, udhëheq apo trajnon personat ose grupe të personave me qëllim të bashkimit apo pjesëmarrjes në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individuale, në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Kurse, dënimet për shkeljen e këtij ligji, varësisht se për cilën dispozitë bëhet fjalë, parashihen nga 3 deri në 15 vjet burg. /A.Qamili/GazetaExpress /

Lajme të ngjashme

Back to top button