Ahmeti: Luftën e nisëm në Sellcën e shqiponjave

Me moton ‘Pranvera e dinjitetit’, sot në fshatin Sellcë u kujtua krisja e pushkës së parë në vitin 2001 kur dhe filloi konflikti i armatosur në Maqedoni.

Të pranishëm në këtë manifestim përkujtimor ishin ish udhëheqësia e UÇK-së, kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi , rektori USHT-së, Vullnet Ameti si dhe kryetari i shoqatës së veteranëve të luftës, Fazli Veliu. 

Para të pranishmeve ju drejtua  kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti i cili ishte udhëheqësi politik i UÇK-së.

“Në Sellcë, vendin e shqiponjave, UÇK-ja u instalua dhe nga këtu filluam të operojmë dhe të zbatojmë planet e luftës. Këtu hapëm frontin me çka hoqëm qafe një sasi numerike të forcave ushtarake nga fronti verior, duke u angazhuar kështu edhe në frontin e Pollogut. Tani më UÇK-ja nuk ishte ushtri që militonte dhe operonte vetëm në një rajon po thuaj se organizohej dhe luftonte në një sipërfaqe të madhe” tha Ahmeti.  

Fjalë përshëndetëse kishin edhe Teuta Arifi, Fazli Veliu dhe ish komandanti i brigadës 112 Mujdin Aliu, Hazbi Lika.

Kryetari i  Senatit të USHT-së asokohe, Milaim Fejziu ndjehet krenar që vu në mbrojtje të ushtarëve të UÇK-së të cilët etiketoheshin si terroristë. 

“Sikur sot më kujtohet ajo ngjarje, në fakt protesta që u organizua kishte për qëllim  që të shpall UÇK-në publikisht si  Ushtri Çlirimtare në Maqedoni. Natyrisht që i parapriu një parapërgatitje edhe pse momentet e fundit u ballafaquam me një  anti-propagandë po edhe me kërcënime se atë ditë mund të ndodh një masakër e madhe në sheshin e Tetovës.  Kërcënimet vinin nga disa anë edhe nga pala maqedonase, pala shtetërore, qeveritare por edhe nga disa subjekte shqiptare. Megjithatë ne ishim të vendosur për ta mbajtur atë protestë për ta legjitimuar UÇK-në”, u shpreh  për Alsat-M, Milaim Fejziu, ish kryetar i Senatit të USHT-së.
14 marsin e përkujton edhe Lulzim Islami, i njohur si Komandant Luli. 

“Me sa më kujtohet mua kanë qenë  11:30, për afërsisht dhe luftimet kanë zgjatur deri në orët e mbrëmjes. Ka pasur katër pozicione vetëm në kala, katër pozicione kyçe të pozicionuar të ushtarëve të UÇK-së. .. Luftimet kanë zgjatur deri në orët e vonshme të mbrëmjes, do të thotë kjo është ajo dita e parë e luftimeve në Kala. Nuk është kënaqësi të vrasësh njerëz, nuk është kënaqësi ti drejtosh pushkën dikujt, mirëpo kur atë e thërret  atdheu dhe populli është një krenari shumë e madhe”, u shpreh  për Alsat-M , Lulzim Islami, komandant Luli.

Lajme të ngjashme

Back to top button