Video: Ngjarjet e viti 2001, jehona e protestuesve ndezi krismat e para në Kalanë e Tetovës

Jehona e krismave të para në malësinë e Sharit, ishte përshëndetja nga lartë për protestuesit në qendër të qytetit të Tetovë, që kishin dalë në përkrahje të UCK-së që tashmë ishte shfaqur në Tanush. Tash 13 vite nga ajo ditë, rrallë kush e dinte se krismat e armëve do ishin aq afër, vetëm disa metra në brendi të malit.

Ish ushtarët e UCK-së, dëshmitarë të asaj ngjarje, thonë se nuk ishte një koincidencë e rastësishme, por një vullnet i madh që protestuesit poshtë në qendër i dhanë grupeve të para të armatosura të UCK-së, që ndezën krismat e para në Kalanë e Tetovës.

Dita e 14 marsit ishte fillimi I shtrirjes së një konflikti që tashmë kishte pasur shkëndijat e para në malësinë e  Tanushës.

Me 14 mars të vitit 2001 në sheshin e Tetovës, në organizim të Shoqatës së të burgosurve politikë shqiptarë, Unionit të studentëve të UT-së, Forumit të Gruas shqiptare në Maqedoni dhe Forumit për mbrojtje të të drejtave dhe lirive të njeriut me seli në Gostivar, u mbajt tubimi në përkrahje të krismave të para që tash më kishin filluar në disa vise shqiptare në Maqedoni.

Pjesëmarrës të shumtë në tubim, në përkrahje të UCK-së, pas disa viteve përkujtojnë se krismat në Kala ishin të papritura për ta. Entuziazmi dhe brohoritjet të shoqëruara edhe me ankthin e së ardhmes, u shuan vetëm disa minuta pas dëgjimit të krismave të para. Qyteti i Tetovës, mbeti i boshtisur nga turma e cila nxitonte të kthehej në shtëpi.

Shumica e tetovarëve që kanë qenë prezent në këtë protestë dhe që të njëjtën e kanë ndjekur nëpërmjet medias elektronike tash më ende e kanë të freskët fjalimin e Bashkim Mashkullit nga Shoqata e të burgosurve dhe të përndjekurve politikë shqiptarë kur filluan krismat e para në Kalanë e Tetovës.

“Dhe mos të mendojnë vetëm për kolltuqe. Ata nëse nuk janë në gjendje të bindin partnerin e tyre maqedonas se Maqedoninë nuk e stabilizon ardhja e ushtrisë bullgare dhe e asaj sërbe në kufi , por ndrimi i kushtetutës në drejtim të avancimit të të drejtave të shqiptarëve”, deklaroi Bashkim Mashkulli dhe fjalimin e tij e ndërprenë krismat në Kalanë e Tetovës dhe thirjet e të mijëra të pranishmëve në sheshin e Tetovës: “UÇK, UÇK, UÇK, UÇK….”

Lajme të ngjashme

Back to top button