Dorëhiqet Hoeness, s’do ta apelojë dënimin me burg

Uli Hoeness nuk do të jetë më president i Bayernit të Mynihut. Pas vendimit të gjykatës, që e dënoi me 3 vjet e gjysmë heqje lirie për evazion fiskal, presidenti i bavarezëve zyrtarisht ka paraqitur dorëheqjen përmes letre emocionale të publikuar në faqen zyrtare të klubit.

Edhe pse avokatët mbrojtës thanë fillimisht se vendimi i gjykatës do të apelohej, 62-vjeçari ka insistuar që të pranojë dënimin, duke hequr dorë kështu menjëherë nga çdo funksion që kishte në fronin e kampionëve të Gjermanisë, transmeton Supersport.

“Pas diskutimesh me familjen, kam vendosur të pranoj vendimin e gjykatës së Mynihut në lidhje me dënimin tim për evazion fiskal. Kam instruktuar avokatët që të mos apelojnë, duke marrë kështu përsipër çdo përgjegjësi personale. Evazioni ishte një gabim i madh në jetën time, pasojat e të cilit duhet t’i paguaj unë. Veç të tjerash, detyrat e mia si president i Bayernit ia kam dorëzuar menjëherë bordit supervizor për të shmangur çdo dëm që mund t’i shkaktohet klubit. Puna që kam bërë gjatë gjithë jetës në shërbim të Bayernit do të jetë aty. Do të mbaj lidhje me këtë klub dhe njerëzit pranë tij në çdo formë të mundshme për sa kohë të jem gjallë, përgjithmonë. Miqtë e ngushtë dhe të gjithë tifozët e Bayernit i falenderoj nga thellësia e zemrës për mbështetjen që më kanë dhënë”.

Fjalë vërtet prekëse nga arkitekti i ringritjes së një Bayerni të fuqishëm. Ish lojtari i bavarezëve dhe i kombëtares gjermane nuk mundi t’i shpëtonte dënimit me burg, edhe pse u rrëfye me detaje para drejtësisë për shifrat shumë milionë Euroshe që i ishin shmangur taksimit.

Lajme të ngjashme

Back to top button