8,000 trupa ruse kanë filluar stërvitjen ushtarake

Rreth 8,500 trupa ruse marrin pjesë në stërvitjet ushtarake pranë kufirit me Ukrainën, duke përdorur artileri të rënda si raketa- hedhëse dhe armë anti-tank, ka deklaruar Ministria e Mbrojtjes ruse të enjten, raporton Reuters. “Njësitë dhe divizionet ushtarake kanë intesifikuar stërvitjet në terren dhe poligone, në rajonet Ristov, Belgorod, Tambov dhe Kursk”, ka njoftuar në një deklaratë për shtyp Ministria e Mbrojtjes ruse, duke shtuar se këto manovra do të vazhdojnë deri në fund të marsit. “Qëllimi kryesor i këtyre masave është që të kontrollojmë aftësinë e trupave për të kryer stërvitje ushtarake në vende të panjohura dhe poligone të paprovuara”, deklaron Ministria e Mbrojtjes. Një seri video dhe foto janë postuar në internet, të cilat tregojnë lëvizjet e blinduara, por papërcaktuar saktësisht vendndodhjen. 

Ministria ka deklaruar menjëherë për agjencinë e lajmeve Itar – Tass, se stërvitjet e trupave parashutiste, që përfshijnë rreth 4,000 trupa, 36 aeroplanë dhe rreth 500 automjete ushtarake, po zhvillohen në rajonin Rostov. Ndërkohë, ministri i përkohshëm ukrainas i Mbrojtjes Igor Teniuh, tha se në  kufijtë Juglindorë të Ukrainës dhe të Krimesë gjenden 220,000 ushtarë ruse, 1,800 tanke, mbi 400 helikopterë, 150 avionë dhe 60 anije. Sekretari i Sigurisë Kombëtare dhe Këshillit të Mbrojtjes të Ukrainës, Andrei Parubi paralajmëroi se, nëse këto trupa vihen në lëvizje, për vetëm disa orë ato mund të arrijnë në Kiev. 

Ky aktivitet ushtarak vjen në një kohë tensioni të lartë, përpara referendumit të Krimesë, të dielën, ku qytetarët e rajonit me shumicë etnike- ruse do të shkëputen nga Ukraina dhe duan t’i bashkohen Rusisë. Mësohet se Parlamenti i Ukrainës ka votuar për të krijuar një forcë prej 60,000 trupash vullnetare. Kryeministri i përkohshëm Arseniy Yatsenyuk u zotua të mërkurën në SHBA, se Ukraina “kurrë nuk do të dorëzohet” përballë Rusisë. Ai ka mbështetjen e SHBA-ve dhe BE-së, të cilët kanë kërcënuar me sanksione të ashpra kundër Rusisë, në qoftë se kjo e fundit nuk do të tërheqë trupat e veta, në Krime. Një shenjë tensioni po përhapet në pjesët e tjera të Europës, në Bjellorusi, një aleate ruse, e cila i ka kërkuar Moskës të vendosë avionë luftarakë shtesë, pasi NATO ka rritur forcat e saj në vendet fqinje baltike. 

Lajme të ngjashme

Back to top button