Babai i vajzave të vrara nga nëna: Ju kërkoj ndjesë të bijave

Dhimbja, hidhërimi, tronditja për ndarjen nga jeta e tri motrave të vogla ka pllakosur të gjithë ata që kanë mësuar lajmin. Ndjenja që natyrisht përjeton qindra herë më të fuqishme babai i tyre, Bashkim Dobrushi që ka humbur dritën e syve të tij, që këto ditë edhe pse i dërrmuar nga dhimbja, nuk ka rënë asnjëherë pre e ndjenjave të hakmarrjes ndaj ish të shoqes, citon “Shqiptari i Italisë”.

Të mërkurën, në meshën e organizuar në kujtim të vajzave në bazilikën e Leccos ka lexuar një letër prekëse me të cilën u kërkon ndjesë vajzave të tij, që nuk arriti të kuptonte e t’u shpëtonte jetën, por flet edhe për nënën e tyre të cilën “nuk do ta gjykojë”.

“Të dashura Simona, Keisi dhe Sidni – u drejtohet ai drejtpërdrejt vajzave – Jam unë, babi, që ju shkruaj dhe po e bëj edhe në emër të gjyshërve, dajave, kushërinjve dhe miqve të familjeve tona. Zemra jonë është fundosur në një dhimbje të pakufi, është shastisur përballë gjithë ç’ndodhi. Nuk kemi kuptuar, imagjinuar dhe shihnim vetëm dashurinë e madhe që, ashtu siç dinim, mundoheshim t’jua tregonim. Bënim ç’kishim mundësi, por sigurisht nuk ishte e mjaftueshme.

Ju kërkojmë me përulësi ndjesë dhe shpresojmë që atje në qiell, ku tani jeni kapur për dore, të mund të kuptoni dobësinë tonë”.

të na marrë malli, pa fund, do të na marrë malli për buzëqeshjet tuaja, për kuriozitetin tuaj, përqafimet, do të na marrë malli për çastet e kaluara bashkë, për dashurinë tuaj për jetën, për projektet e ëndrrat tuaja për një jetë të qetë e të lumtur. Nuk mundëm t’jua jepnim”.

“Do të doja të shkëmbeja jetën time me tuajën, për t’ju dhuruar atë të ardhme që ju është mohuar. Do të doja të ndalja kohën një çast më përpara për t’ju dhuruar një të ardhme më të bukur.

 Ju lutemi, na falni dhe na doni, nga atje lart në qiell, sepse ne kemi shumë nevojë. Na jepni atë mbrojtje e atë dashuri që nuk ishim të aftë t’ju jepnim dhe që do të mund të na paqësojë pak shpirtin.

Na ka marrë shumë malli. Mua, të gjithë të afërmit, miqtë e shokët e shkollës. Ju dua pa masë dhe do t’ju kem gjithnjë në zemër”.

Për ish të shoqen, nuk shpreh asnjë gjykim, edhe pse nuk arrin të kuptojë gjestin e saj: “Nuk gjej paqe për atë që ndodhi por nuk dua të gjykoj mamanë tuaj. Dua të kuptoj, edhe pse tani nuk jam në gjendje, e do të doja të kisha kuptuar por nuk paskam qenë i aftë”. 

E së fundi, Bashkim Dobrushi u kërkon të bijave ta ndihmojnë të përballojë këtë gjëmë: “Ju lutem, ju përgjërohem, nga parajsa, nga ku shihni gjithçka, edhe brenda zemrave tona, na jepni forcën për të kapërcyer këtë dhimbje të pafund”.

Lajme të ngjashme

Back to top button