Kodheli: E ardhmja e përbashkët e vendeve të Ballkanit është në NATO dhe BE

Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Mimi Kodheli, ka deklaruar sot se Mali i Zi, shumë shpejt do të anëtarësohet zyrtarisht me të drejta të plota në NATO. Sipas saj Shqipëria ishte ndër vendet e para, që ratifikoi në Kuvend protokollin e aderimit në Aleancë të Republikës së Malit të Zi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kodheli ka pritur sot në një takim në Tiranë ministrin e Mbrojtjes të Malit të Zi, Predrag Boshkoviç, ku kanë mbajtur një deklaratë të përbashkët për mediat.

Në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes, thuhet se Kodheli, gjatë fjalës së saj deklaroi se e ardhmja e përbashkët e vendeve të Ballkanit është në NATO dhe Bashkimin Evropian.

“Përshëndes me përzemërsi shqiptarët e Malit të Zi, kjo urë e përjetshme dhe e fuqishme lidhëse, midis dy vendeve tona. Kontributi i tyre në çdo histori suksesi të vendit fqinj është një kontribut i evidentuar tashmë nga historia. E ardhmja e përbashkët e vendeve të Ballkanit është në NATO dhe Bashkimin Evropian. Padyshim, është mënyra e vetme për të përballuar sfidat tona të përbashkëta, sfida këto gjithmonë në rritje, sidomos në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”, ka theksuar Kodheli.

Ajo ka shtuar se Shqipëria dënon çdo ndërhyrje në punët e brendshme të shteteve të pavarura, çdo influencë në vendimmarrjen e popujve sovranë dhe sipas saj çdo synim për një destabilizim të Ballkanit.

Ndërsa ministri i Mbrojtjes i Malit të Zi, Pedrag Boshkoviç, gjatë fjalës së tij ka theksuar se Shqipëria dhe Mali i Zi ndajnë vlera të përbashkëta si vende fqinje, kur bëhet fjalë për stabilitetin dhe paqen në rajon.

“Mali i Zi është një shtet që ndan të njëjtat vlera dhe rruga e vetme e shtetit tonë është drejt integrimit në BE dhe në aleancën e NATO-s. Gjithashtu ne duam të shfrytëzojmë edhe eksperiencën e vendeve që janë të anëtarësuar në aleancën e NATO-s. Duam të ndajmë edhe vlera tona, eksperiencën tonë për tu bërë edhe ne si shtet i ardhshëm që do të anëtarësohet në aleancën e NATO-s dhe në BE. Sot në takim konstatuam faktin, interesin e përbashkët që kemi si dy shtete për qetësinë dhe paqen në rajon, që është interes i përbashkët i të dy shteteve tona. Dhe do bëjmë gjithçka që të sigurojmë ruajtjen e paqes dhe të qetësisë në rajonin tonë”, u shpreh ministri Boshkoviç.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button