Goditet Bayerni, 3 vjet e 6 muaj burg për Uli Hoeness

Grusht i rëndë për Bayernin e Mynihut që po përjeton një nga periudhat më të arta. Presidenti Uli Hoeness është dënuar nga gjykata me 3 vjet e gjysmë burg, pasi u shpall fajtor për evazion fiskal në shumën e 27.2 milionë Eurove.

62-vjeçari gjerman, fitues i Kupës së Botës 1974, nën drejtimin e të cilit, Bayerni është shndërruar në një nga klubet më të mëdha të planetit, rrezikonte deri në 10 vjet heqje lirie, ndërkohë që prokuroria kishte kërkuar 5 vjet burgim para se të jepej verdikti final i gjykatës së Mynihut, transmeton Supersport.

Gjatë procesit gjyqësor, vetë Uli Hoeness publikoi shifrat e parave që i ishin shmangur taksimit dhe madje surprizoi kur me gojën e tij dha shifra që ishin më të mëdha nga sa mendonin prokurorët. Çështja e Hoeness nuk ka tronditur vetëm klubin bavarez që e ka mbështetur fuqishëm në këto ditë, por të gjithë kombin gjerman.

Evazioni fiskal konsiderohet një krim serioz në Gjermani me emra të tjerë të mëdhenj që nuk kanë mundur t’i shmangen drejtësisë. I tillë është edhe rasti i Peter Graf, i ati i ish tenistes kampione Steffi Graf, i cili në 1997-ën u dënua me 3 vjet e 9 muaj burg dhe u lirua pasi kaloi 25 muaj në qeli.

Sipas ligjeve të shtetit gjerman, presidenti i Bayernit mund t’i kishte shpëtuar dënimit nëse do të rrëfehej vullnetarisht, por edhe pse tentoi ta bënte diçka të tillë vitin e kaluar, dokumentet nuk iu pranuan për shkak të parregullsive dhe mangësive. Në të shkuarën e tij si futbollist, ish sulmuesi legjendar ka fituar 4 tituj në Bundesliga dhe 3 trofe europianë, ndërsa pas tërheqjes nga futbolli aktiv, Hoeness gjithmonë ka qënë i angazhuar në role administrative te kampionët në fuqi të Gjermanisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button