Ministri arab: Të parandalohet dërgimi i personave për të luftuar në Siri

Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah Bin Zayed Al Nahyan, dënon rekrutimin e të rinjve për të luftuar në Siri, dhe thekson se duhet një angazhim që rinia të mos bjerë pre e këtij fenomeni.

“Nxitja e një fenomeni të tillë është krejtësisht e gabuar. Vetë populli sirian kërkon që luftëtarët e huaj të dalin nga territori i Sirisë. Është më se e nevojshme që të parandalohet fenomeni i dërgimit të personave për të luftuar në Siri, dhe të angazhohemi të gjithë së bashku që rinia të mos bjerë pre. Duhet ta luftojmë nga ana ideologjike këtë fenomen”,  -tha ministri Al Nahyan. 

Këto deklarata ai i bëri përgjatë konferencës së përbashkët me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati.

Lidhur me këtë çështje ministri Bushati tha se qeveria shqiptare është e vendosur për të luftuar terrorizmin, si dhe vlerësoi operacionin e organizuar nga Policia e Shtetit për kapjen e personave që rekrutonin të rinj për t’i dërguar që të merrnin pjesë në luftën në Siri. 

“Ne diskutuam sot edhe për këto fenomene dhe për një politikë sa më izoluese ndaj shteteve të caktuara, apo ndaj segmenteve periferike të botës, të cilat nxisin terrorizmin. Qeveria shqiptare ka dëshmuar një vullnet të qartë politik për ta luftuar këtë fenomen. Fakti që kjo celulë është zbuluar tregon për shkallën e lartë të zbulimit nga Policia e Shtetit, dhe këtë e shoh si provë të suksesit dhe të forcës sonë goditëse ndaj kësaj veprimtarie jashtëzakonisht të dëmshme, që nuk mund të parandalohet apo goditet vetëm nëpërmjet mekanizmave ligjorë, por duhet të goditet në të gjitha frontet”, -tha ministri i Jashtëm, Bushati./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button