Presidenti Thaçi: Partitë politike duhet të bashkohen për interesat e shtetit

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në lansimin e programit të Fondacionit Westminster për Demokraci në Kosovë.

Presidenti Thaçi ka thënë se ky është një hap i rëndësishëm për vetë Fondacionin e Westminster për Demokraci, për partitë politike, për jetën politike dhe për tërë Kosovën.

“Për dallim nga e kaluara kur kishim nevojë për përkrahje në rindërtimin e vendit nga lufta, sot kemi nevojë për përkrahje më specifike të bashkësisë ndërkombëtare. Sot kemi nevojë për përkrahje në projektet për fuqizimin e demokracisë në Kosovë, të fuqizimit të pluralizmit politik të gjeneratave që do të vijnë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Presidenti ka thënë se Fondacioni Westminster për Demokraci ka punuar në promovimin e pluralizmit të ideve, të demokracisë shumë partiake dhe për parimin që betejat politike të zhvillohen rreth politikave, ideologjive apo ideve në përgjithësi dhe jo të jenë beteja për personalitetet apo mes personaliteteve.

“Që në fillim të marrjes së detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës kam promovuar idenë e dekriminalizimit të partive politike në Kosovë. Më saktësisht, kam hedhur idenë që partitë politike në Kosovë të ndërtojnë një kod të mirësjelljes në mes vetë partive, e që thotë që njerëzit nën hetime apo të akuzuar nga organet e drejtësisë nuk do të lejohen as të hyjnë në listat për deputetë dhe as të marrin poste në institucionet publike”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ky hap, sipas presidentit, do të ndihmonte në forcimin e besimit të qytetarëve të Kosovës në vetë partitë politike, në aspiratën e tyre që të punojnë për interesat e Kosovës dhe qytetarëve të saj.

“Partitë politike, veçanërisht gjeneratat e reja të politikanëve të Kosovës, sigurisht që do të përfitojnë nga projektet e Fondacionit Westminster për Demokraci”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai shtoi se eksperiencat e fituara do të jenë jetike për të ardhmen demokratike të Kosovës, që do të edukojmë gjeneratat e reja të politikanëve për diplomacinë dhe për politikën në përgjithësi.

“Më saktësisht, kjo do të thotë që gjeneratat e reja të politikanëve të ndeshen rreth politikave, rreth ideve, rreth ideologjive… e jo të hyjnë në konflikt për shkak të personaliteteve apo individëve. Si shoqëri kemi nevojë për të zhvilluar tutje praktikën e përballjes së politikave dhe të ideve”, ka thënë presidenti Thaçi.

Vetëm duke ballafaquar idetë tona, vizionet tona, presidenti ka thënë se do të gjejmë rrugën më të mirë për Kosovën.

“Partitë politike në Kosovë kanë treguar se përkundër mospajtimeve që kanë në mes vete, megjithatë, kur bëhet fjalë për vendime të rëndësishme për Kosovën, atëherë këto dinë të bëhen bashkë dhe të bashkërendojnë veprimet e tyre”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se Kosovën e presin vendime të rëndësishme, që kërkojnë bashkërendim të veprimeve tona.

Këto, sipas presidentit Thaçi, gjithashtu janë momente kur partitë politike duhet të tregojnë pjekuri politike dhe të dëshmojnë përsëri se klasa politike në Kosovë di të shikojë përtej interesave të veta politike e partiake dhe të vendos se çfarë është më e mira për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Të pranishëm në lansimin e programit të Fondacionit Westminster për Demokraci në Kosovë ishin edhe ambasadori britanik Rouri O’connell, si dhe ai i OSBE-së, Jan Braathu.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button