Sela: Debat në institucione, e jo rrugëve e istikameve!

Intervistë me Ziadin Selën, kryetar i Lëvizjes për Reforma të Partisë Demokratike Shqiptare për “Civilalb“.

CIVIL Media:  Cili është vlerësimi juaj për situatën pas zgjedhjeve dhe cilat janë propozimet e LR- PDSh për daljen nga kiza?

Sela: Situata paszgjedhore fatkeqësisht nuk e zgjidhi atë që quhet krizë politike, por, përkundrazi, unë them që e thelloi akoma më tepër.  Dhe, natyrisht që për ne ka qenë e pritshme një sjellje e këtillë, aq më tepër që ka një numër të caktuar politikanësh, të cilët veprojnë me instinktin e vetëmbrojtjes, për mbrojtjen e të gjitha atyre punëve që i kanë bërë gjatë këtij dhjetëvjeçari.

Është më se e qartë se kjo situatë e tensionuar politike po tensionohet akoma më tepër, dhe të vetmit njerëz që kanë interes që të krijohet një kaos, janë pikërisht ata që duan t’i ikin përgjegjësisë nga prokuroria speciale. Unë vlerësoj se do të duhet që gjithsecili të përgjigjet ose të ketë të drejtën të dëshmojë pafajësinë e tij para organeve të drejtësisë, sepse, përfundimisht, Maqedonia, por edhe rajoni, do të duhet t’i kthehet rrugës së shtetit të së drejtës, se është e drejta formë ku do ta shohin të lirë të gjithë qytetarët pastaj veten.

Cila duhet të jetë dalja nga kriza…? Nuk ka formë tjetër, përveç rrugës institucionale. Në fund të fundit ka rregulla të shkruara në shtet, janë shumë të qarta, edhe pozicioni i presidentit të shtetit, se çfarë i lejohet dhe çfarë nuk i lejohet… Unë jam ithtar i idesë se nuk duhet shumë e shumë të përkëdhelet i njëjti dhe të gjithë aktorët politikë, të cilët kërcënohen me krizë politike. Aspak nuk duhet të shqetësohemi për këtë çështje, duhet të ndjekim rrugën institucionale. Rruga institucionale është shumë e qartë, Qeveria dhe gjithçka bëhet me 61 deputetë, duhet të jetë minimumi 61 deputetë, ndërsa presidenti duhet t’ia japë patjetër mandatin atij, i cili e ka atë shumicë, kështu e ka edhe me Kushtetutë dhe është i obliguar. Dhe, nuk i lejohet që ai të hyjë pastaj në tema të shpikura diku në zyrat e partive politike, për gjoja prishje të karakterit unitar etj. etj.,  gjë që nuk ka të bëjë me realitetin, dhe integritetin territorial të shtetit, sepse i vetmi integritet, i cili do të prishet kësaj radhe, pasi të krijohet një shumicë e re dhe do të kthehet debati në institucione, aty ku e ka vendin, është integriteti i politikanëve të korruptuar.

CIVIL Media: Këtyre ditëve po qarkullojnë disa deklarata të ndryshme tuajat. Kisha dashur të më tregoni se nga cila periudhë janë, ju me siguri e dini se cilat janë ato, dhe çka keni dashur të thoni me këto deklarata?

Sela: Tani po qarkullojnë shumë deklarata, jo vetëm një. Dhe, këto janë përmbledhje të nxjerra nga konteksti, varet çfarë ka qenë konteksti kur i kam dhënë ato deklarata. Dhe, unë nuk mund të kthehem tani që të arsyetoj të gjitha ato deklarata që po qarkullojnë në opinion, që kanë për qëllim të nxisin masat, që të ndodhë ajo që po ndodh. Njëherë, atë që e bën më të madhe, më kujtohet saktë ka qenë në nëntor, dita e parë e fushatës elektorale, që ka qenë një përgjigje e imja ndaj një debati që e patëm në televizion me zotin Angellov, ka qenë përgjigje faktesh historike, meqë hyri në histori në debat, ai tha që ne shqiptarët jemi të ardhur këtu dhe se jemi poshtë njëzet përqindëshit, dhe unë fola për ca fakte historike. Tani këtë e nxjerrin nga konteksti dhe e serojnë ashtu siç duan ta serojnë.

Tani, ka plot deklarata aty. Shoh, kishin nxjerrë edhe diçka tjetër aty, që unë do ta prish..Kanë bërë një portë në Komunën e Vevçanit dhe se gjoja unë do ta prish atë portën atje. Për shembull, kjo deklaratë është dhënë më duket në vitin 2014, kur Komuna e Vevçanit, në hyrje të Veleshtës i ndërroi tabelat, i hoqi vetëm pse ishte gjuha shqipe në rrugën rajonale, do të thotë shkruante në dy gjuhë edhe Vevçanë dhe Veleshtë, u ankuan dhe i hoqën tabelat, në ndërkohë që u drejtua mikrofoni te unë si kryetar komune. Unë atëherë pata thënë që nuk është në territorin e Komunës së Strugës një gjë e tillë, bëra kërkesë në Ministrinë e Pushtetit Lokal, dhe kam deklaruar se në qoftë se ajo pjesë është në territorin e Komunës së Strugës, atëherë edhe tabelat në dy gjuhë do të kthehen, por edhe në qoftë se është bërë ndonjë objekt pa leje nga ana e Komunës së Strugës, do të prishet i njëjti. Dhe, tani, po e keqpërdorin në forma të ndryshme.

Cili është pozicioni im për këto…? Gjithçka që them, besoj dhe e mendoj të njëjtën. Nuk bëhet fjalë që tani unë të reteroj nga gjërat e tilla. Ka shumë çështje të hapura këtu në Maqedoni, të cilat nuk jemi ulur t’i zgjedhim. Unë jam ithtar i idesë, dhe nuk jam qyqar që të fshihem pas Maqedonisë multietnike, e nga ana tjetër, gjithçka që bëj është Maqedoni njënacionale. Ata, të cilët sot e përdorin dhe e kanë aq për zemër shtetin multietnik, të nesërmen do ta harrojnë dhe me siguri aspak nuk i llogarisin etnitë tjera, llogarisin vetëm aktorë, eksponentë politikë, të cilët vijnë nga ato etni, dhe gjithçka që i lidh me njëri-tjetrin është krimi dhe korrupsioni, dhe interesat familjare të ngushta, e aspak interesi i komuniteteve dhe bashkësive etnike, të cilat jetojnë këtu në Maqedoni. Deklarata jonë e përbashkët, e subjekteve politike shqiptare, dhe konceptet të cilat edhe ne si Lëvizje për Reforme, dhe unë si kryetar i saj i kam, është që unë nuk kam të drejtën të kontestoj asnjërin se si ndjehet. Unë besoj në të drejtën që gjithsecili të vetëdeklarohet  për identitetin e tij. Popujt nuk lindin nga zoti, lindin si pasojë e rrethanave politike të krijuara. Rani, është krijuar një popull me identitet, që i thotë vetes se jemi maqedonas, kanë gjuhën e tyre dhe unë nuk kam problem me këtë gjë.

Nga ana tjetër, një gjë më vjen mirë, vetë fakti që mua më akuzojnë njerëz, që karrierën e tyre politike e kanë ndërtuar me thirrje për dhoma gazi për një popull të tërë, mua më jep kënaqësinë të them që unë nuk jam njësoj si ata. Dhe, kjo është mirë.

Deklarata e përbashkët nuk mban vulën e Tiranës, po mban vulën e Shkupit. Në vitin 1991 është nënshkruar deklarata e përbashkët e subjekteve politike shqiptare, në momentin që Maqedonia e shpalli pavarësinë e saj mbi bazën e heqjes së të drejtave të mbi një të tretës së popullatës, që është shqiptare. Dhe, përsëri në Shkup, do të duhet të kthehen ato të drejta, dhe nuk do të kthehen në Tiranë ose në ndonjë vend tjetër.

CIVIL Media:  Për çfarë janë marrë vesh partitë nënshkruese të deklaratës, partitë shqiptare që e kanë nënshkruar deklaratën? Për çfarë janë marrë vesh, saktësisht?

Sela: Deklarata është publike dhe nuk ka diçka të fshehtë aty. Partitë nënshkruese të deklaratës, e para për të cilën janë marrë vesh, është që t’i japin përkrahje të ndërsjellë njëra – tjetrës, në lidhje me këto tema, për këto zgjedhje dhe me zgjedhjet e ardhshme. E drejta e përdorimit të gjuhës është e drejtë e arritur me Marrëveshjen e Ohrit, dhe nuk është ndonjë risi. Së këndejmi, aktorë politikë të cilët kanë marrë të drejtën të hyjnë dhe të bëjnë të negociueshme  diçka që u negociua dikur, natyrisht që do të duhet të përballen me përgjegjësinë para qytetarëve.

Unë po ju them që ligji aktual për përdorimin e gjuhës shqipe, për shembull, është antikushtetues. Pse? Marrëveshja e Ohrit askund nuk e ndan gjuhën që e flasin më tepër se 20 % e popullatës, nga shkrimi i saj. Gjithkund në Kushtetutë, na amendamentin 5 të Kushtetutës që e zëvendëson Nenin e 7 të Kushtetutës, thuhet që gjuha që e flasin mbi 20% popullatës dhe gjuha që është e ndryshme nga maqedonishtja, si dhe shkrimi i saj, është gjithashtu zyrtare, ashtu siç është përcaktuar me këtë nen. Dhe, tani ti nuk mund të sjellësh ligj për shembull, po e marr për shembull ligjin e vitit 2008, ku e lejon deputetin shqiptar të flasë në parlament shqip, e nga ana tjetër e pamundëson të shkruajë në gjuhën shqipe dhe tabelat e institucioneve dhe të gjitha materialet tjera të jenë në gjuhën shqipe. Kështu që, është kundër kushtetuese të ndahet e folura dhe e shkruara. Dhe, them që kjo deklaratë vetëm se i vendos pikat mbi i, që tërësisht të bëhet implementimi asaj që është nënshkruar, para 15 ose 16 vitesh.

Deklarata e përbashkët, nga ana tjetër, dëshiron të ndërpresë eksploatimin, i cili bëhet ndër vite mbi gjysmën e popullatës. Po them, se njësoj të eksploatuar ndjehen edhe qytetarët e bashkësive tjera etnike. Në fund të fundit, aty në deklaratë është edhe respektimi i ligjit për zhvillim të barabartë rajonal, i cili ligj u votua nga VMRO-ja dhe BDI-ja në vitin 2009, në të cilin parashihej që 1 % i GDP-së tu ndahet rajoneve për zhvillim të barabartë rajonal. Dhe, këtë ligj nuk e ka votuar as Edi Rama, as Tirana zyrtare, siç mundohet dikush që t’ia japë karakterin deklaratës së përbashkët, por është ligj i votuar këtu, me votat edhe të Nikolla Gruevskit dhe  deputetëve të tij, dhe këtu nuk ka asgjë kontestuese. Është komisioni, i cili do të përkujdeset për  ndarje të drejtë dhe proporcionale të buxhetit.

Këtu nuk cenohet integriteti territorial i asnjë shteti, por përkundrazi, sigurohet integriteti dhe autonomia e individit, që ta shohë tatimin e tij në formë të investimit, në vendin ku ai jeton, në shtëpinë e tij, në lagjen e tij, në qytetin e tij. Dhe, jo si deri tani, kur ne kemi problem me shkollat, sa i përket kushteve minimale për të pasur proces edukativ – arsimor, siç janë ngrohja, energjia elektrike dhe bankat, të cilat nuk janë ndërruar nga tridhjetë vite dhe, nga ana tjetër, kemi një projekt në qendër të kryeqytet, që është Shkupi 2014,  i cili përafërsisht po i afrohet miliardit të investimeve, të cilat janë bërë atje.

Do të thotë, kjo deklaratë, e para, mos ketë dilema, ka të bëjë me raportet që subjektet politike shqiptare duhet të ndërtojnë me njëri – tjetrin, dhe të mos jenë të përçarë kështu siç kanë qenë këto 25 vite. Unë kështu e kuptoj dhe nuk ka të bëjë aspak me subjektet politike maqedonase. Në qoftë se ne me ata do të ulemi të bisedojmë për gjëra veç e veç, për gjuhën, për tema tjera, mendoj që kompromis me këto gjëra nuk duhet bërë, sepse ne i kemi bërë kompromiset e nevojshme gjatë kohë, në lidhje me gjuhën.

Në fund të fundit, shpesh po përballemi me pyetje të tipit që qenkan radikale kërkesat tona. Jo, nuk është radikale të kërkosh të realizosh veten, aty ku paguajmë tatimet, si të gjithë të tjerët. Se, në aspektin e tatimeve nuk ndahemi. Ndërsa është shumë radikale të protestosh për t’ia pamundësuar tjetrit të realizojë një të drejtë. Do të thotë, deklarata ka të bëjë më tepër me raportet, të cilat duhet t’i ndërtojmë me njëri – tjetrin si subjekte politike, të mos i konkurrojmë njëri – tjetrit, kush të bëhet më përpara pjesë e qeverisë, sepse në këtë formë i konkurrojmë interesit të votuesve që na kanë votuar. Tash e tutje, unë mendoj që më nuk duhet të ndodhë kjo.

Organet e drejtësisë do të duhet të jenë ato, të cilët duhet ta thonë fjalën e tyre të fundit. Jo këto të politizuarat, por organet, të cilat janë për të ndarë drejtësi sipas ligjit dhe Kushtetutës dhe organet që ndajnë drejtësi partiake dhe politike. Dhe, jo vetëm VMRO DPMNE-ja. Natyrisht, VMRO-DPMNE nuk ka qenë vetë në qeverisje, ka qenë edhe BDI-ja bashkë me këta. Natyrisht që mund të ketë edhe Brenda radhëve të subjekteve tjera politike njerëz, të cilët kanë keqpërdorur pushtetin. Është momenti që të gjithë të përgjigjen. Pa përjashtim.

CIVIL Media: Pse zgjodhët që deklarata të nënshkruhet (nëse është nënshkruar) në Tiranë? Nga lëvizja Besa thonë se është nënshkruar atje, mirëpo ne nuk e dimë nëse me të vërtetë është e nënshkruar atje, dhe nëse është, pse është nënshkruar atje, e jo këtu? Bëhet fjalë për shqiptarët e Maqedonisë.

Sela: Unë nuk e di se çfarë qëllime ka Lëvizja Besa, dhe për këtë do të duhet atyre t’u drejtohet pyetja. Deklarata nuk është nënshkruar, por deklarata është cituar, ose është lexuar, pasi e kemi nisur këtë deklaratë, ne e kemi nisur prej në Aleksandar Palace. Jemi marrë vesh që deklarata, në të njëjtën kohë, në të njëjtën ditë, të dalë dhe të lexohet nga të gjitha partitë politike nënshkruese, domethënë, që e kanë pranuar këtë deklaratë.

Dhe, tani….këto deklaratat e Lëvizjes Besa i shërbyen vetëm atyre që janë të interesuar që ta zgjasin krizën politike, ta krijojnë kaosin, brenda së cilit do ta shpëtojnë vetveten, duke rrezikuar jetën e qytetarëve. Dhe, nuk e di, nuk e kuptoj se pse kanë nevojë të dalin me deklarata të tilla, duke dashur të implikojnë gjithçka rreth e rrotull.

Shqipëria, Tirana zyrtare, kurrë nuk ka pasur një qasje jo korrekte ndaj Maqedonisë, edhe pse, me Kushtetutë, kryeministri i shtetit është i obliguar që të kujdeset për shqiptarët gjithandej ku jetojnë, këtë nuk e kanë bërë. Mirëpo, i vetmi shtet në regjion, me të cilin Maqedonia nuk ka asnjë problem, sa i përket identitetit, emrit të shtetit, të kishës etj., është Shqipëria. Po, me Serbinë ka problem çështjet e pazgjidhura me autoqefalinë e kishës, Me Bullgarinë – çështja e identitetit dhe gjuha, me Greqinë çështjen e emrit…Me Shqipërinë nuk ka asnjë kontest. Dhe, ideja e përfshirjes së tyre këtu, mendoj që aq më tepër, e thënë kjo dhe e përsëritur radhazi nga një subjekt politik që i thotë vetes se është subjekt politik shqiptar, mendoj që është e gabueshme. Tendenca është, siç duket, që Deklarata e përbashkët të mos e marrë vendin e merituar.

Por, Deklarata e përbashkët nuk mban vulën e Tiranës, po mban vulën e Shkupit. Në vitin 1991 është nënshkruar deklarata e përbashkët e subjekteve politike shqiptare, në momentin që Maqedonia e shpalli pavarësinë e saj mbi bazën e heqjes së të drejtave të mbi një të tretës së popullatës, që është shqiptare. Nuk është ndonjë sekret, Kushtetuta e vitit 1974, shqipja ishte në Maqedoni zyrtare, bashkë me maqedonishten dhe turqishten. E drejta e përdorimit të flamurit, po ashtu. Ka pasur pushtet lokal realisht dhe të mirëfilltë të decentralizuar. Dhe, tani, pa debat, pa u pyetur shqiptarët, na u morën të drejtat. Dhe, unë prandaj insistoj të them që deklarata e përbashkët, që pastaj ka rezultuar me platforma politike, radhazi të subjekteve politike shqiptare në këto 25 vite, që përmbajnë pak a shumë këto gjëra që janë në Deklaratën e përbashkët, janë nënshkruar në Shkup në vitin 1991, kur na hoqën të drejtat.

Dhe, përsëri në Shkup, do të duhet të kthehen ato të drejta, dhe nuk do të kthehen në Tiranë ose në ndonjë vend tjetër. Kjo që bëhet, është vetëm zhurmë koti, e një presidentit të shtetit që e vetëquan veten në mënyrë të tillë dhe që përfaqëson vetëm interesat të një subjekti politik. Dhe, nuk është hera e parë që sillet në këtë formë. Në këtë formë është sjellë edhe kur shpalli atë amnistinë e famshme të atëhershme. Dhe, nuk e di se pse dikush ka nevojë që t’i kontribuojë kësaj idesë, që qenka nënshkruar në Tiranë. Nuk është nënshkruar në Tiranë, është deklaratë burimore, këtu. Dhe, është nënshkruar në Shkup, në vitin 1991.

CIVIL Media: Mirëpo, dolët në Tiranë…

Sela: Ne në Tiranë kemi pasur një takim. Dhe, takime të tilla, këto 25 vite, ka pasur në mënyrë të vazhdueshme. Të gjithë kryetarët e partive politike janë takuar me kryeministrat e Shqipërisë ose me subjektet politike nga Tirana, ashtu siç besoj se takohen edhe pjesëtarët e subjekteve të tjera politike këtu në Maqedoni. Po them, ka edhe parti serbe që mbajnë kontakte të vazhdueshme edhe me qeverinë e Serbisë, edhe VMRO DPMNE-ja që mban kontakte të vazhdueshme me funksionarë të Bullgarisë, Serbisë etj. Dhe, këto nuk janë të ndaluara që të ndodhin, aq më tepër që rruga në të cilën ne jemi nisur është rruga e Bashkimit Evropian që primare e ka fqinjësinë e mirë, me gjithsecilin këtu në rajon. Kjo që po ndodh, nuk i kontribuon fqinjësisë së mirë.

CIVIL Media: Sipas jush, kush i bën obstruksionet të daljes nga kriza politike dhe institucionale?

Sela: Sipas meje? Një grusht njerëzish të zhytur në krim dhe në korrupsion, të cilët janë të interesuar që të mos ketë asnjë institucion legjitim, sepse, avash-avash, edhe legjitimiteti i pushteti lokal po mbaron, a po, e të cilët për qëllim final e kanë që të shpëtojnë lëkurën e tyre dhe pasurinë e pistë, të cilën e kanë grumbulluar gjatë këtyre viteve. Dhe, këta njerëz janë shumë pak. Unë bëj thirrje që të vetëdijesohen të gjithë ata, të cilët janë bërë pjesë të protestave për gjoja ruajtjen e karakterit unitar të shtetit, ruajtjen e integritetit territorial dhe ruajtjen e Maqedonisë shumetnike. Unë bëj apel që, le ta bëjnë të njëjtën, pa asnjë problem, por nuk duhet ta kenë të orientuar këtë kundër një populli të tërë. Ndërsa ata, të cilët ata i ruajnë në njëfarë forme dhe u shërbejnë, janë pikërisht ky grusht politikanësh që janë shumë pak, që fatkeqësisht udhëheqin me VMRO DPMNE-në, të cilët besomëni se nuk kanë identitet. Krimi dhe korrupsioni nuk ka identitet.  Qoftë ky krim prej shqiptarësh ose prej maqedonasish. Identiteti i vetëm i krimit është interesi, paraja, bërja e jetës së qytetarit herezi dhe kufizimi i lirisë së tjetrit. Domethënë, këtë lloj të identitetit duan të mbrojnë ata, asnjë identitet tjetër.

Debati duhet të kthehet në institucione, sa më shpejt. Unë jam ithtar i idesë se çdo debat duhet hapur, gjithçka duhet diskutuar, por jo rrugëve dhe jo istikameve, po në Parlament, aty ku edhe është vendi I debateve, e prandaj Parlamenti duhet sa më shpejtë të nisë dhe të bëjë punën e tij.

CIVIL Media: Do të thotë, sipas jush, vetëm VMRO-ja i ka fajet për obstruksionet për dalje nga kriza, vetëm janë të zhytur në krim?

Sela: Nuk është rregull të përgjithësohen gjërat dhe të thuhet “VMRO-ja”. Nuk është në rregull. Unë nuk jam, nuk mund të jem kundër subjekteve politike. Në aspekt të proveniencës, po them,  LR PDSH-ja është parti e proveniencës së qendrës së djathtë, dhe ne mund të kemi ndonjë të ardhme dhe raporte korrekte, duke pasur parasysh që edhe ata janë të qendrës së djathtë, si subjekt politik.

Po, ky subjekt politik duhet realisht t’i nënshtrohet një reforme të njëmendtë përbrenda radhëve të veta. Tash e tutje, do të duhet të mos merren shumë me të tjerët dhe të bëjnë kampanjë kundër një populli këtu në Maqedoni, që janë shqiptarët, por të merren duke realizuar vetveten. Dhe, jo vetëm. Unë nuk mendoj, nga ana tjetër, edhe unë s’kam të drejtë të shpall kriminelët, sepse unë nuk jam ai që i di të gjitha detajet. Unë mund të kem dyshime, duke parë se çfarë ka ndodhur ndër vite. Por, organet e drejtësisë do të duhet të jenë ato, të cilët duhet ta thonë fjalën e tyre të fundit. Jo këto të politizuarat, por organet, të cilat janë për të ndarë drejtësi sipas ligjit dhe Kushtetutës dhe organet që ndajnë drejtësi partiake dhe politike.

Dhe, jo vetëm VMRO DPMNE-ja. Natyrisht, VMRO-DPMNE nuk ka qenë vetë në qeverisje, ka qenë edhe BDI-ja bashkë me këta. Natyrisht që mund të ketë edhe brenda radhëve të subjekteve tjera politike njerëz, të cilët kanë keqpërdorur pushtetin. Është momenti që të gjithë të përgjigjen. Pa përjashtim, se cilit subjekt politik i përkasin, cilës bashkësi etnike i përkasin, të gjithë do të duhet të përgjigjen para organeve të drejtësisë. Unë e kam thënë edhe publikisht që çdo deputet duhet në mënyrë vullnetare ta dorëzojë imunitetin, në mënyrë që të përgjigjet para organeve të drejtësisë.

CIVIL Media: Për fund, shohim edhe në rrjetet sociale edhe gjithkund, se po formohen formacione paramilitare, nga ana e iniciativës, ose nuk e dimë nga kush nga ana e maqedonasve. Cila është porosia juaj, posaçërisht për shqiptarët, në këto momente krize?

Sela: E para e punës, unë dua të porosis organet e rendit, prokurorinë e të gjithë. Unë kam dëgjuar deklarata që duan të mbledhin njësitë paramilitare, e njerëz të tillë nuk e meritojnë lirinë. Ata do të duhet menjëherë të arrestohen dhe të futen në burg, aty ku e kanë vendin. Kundër kujt duan t’i bëjnë këto njësi paramilitarët?

Çfarë porosi do të kisha për shqiptarët? Shqiptarët duhet të jenë vigjilentë dhe të ndjekin situatën. Nuk kemi pretendime për t’i marrë dikujt diçka, e përsëris. Duam të realizojmë veten dhe të bëjmë jetën tonë edhe në të ardhmen, me dinjitet, të barabartë, sepse, në fund të fundit, kjo është demokracia në esencë, të jesh i barabartë me tjetrin dhe të mos vendohesh në pozicionin e padronit e as në pozitën e skllavit, a po.

Një gjë është e sigurte, në qoftë se duan të na trembi me paramilitarë e me këso sendesh: Jo, nuk do të trembemi. E vetmja frikë që kemi është ardhmëria e fëmijëve tanë këtu në Maqedoni. Dhe, jo vetëm e fëmijëve tanë e të gjithë fëmijëve, e të gjithë etniteteve këtu në Maqedoni. Do të duhet që të ulen gjakrat, gjërat të merren me më tepër gjakftohtësi, sepse nuk bëhet fjalë për cenim të së drejtës së tjetrit, por bëhet fjalë për realizim të të gjithëve që jetojnë këtu në Maqedoni. Kemi jetuar si komunitete, edhe përpara se të ekzistojë shteti maqedonas dhe nuk  kemi zgjidhje tjetër vetëm se ta ndërtojmë jetën tonë bashkë këtu, edhe tash por edhe në të ardhmen.

Të gjithë, ata të cilët tentojnë me kështu formash të arrijnë një qëllim, besomëni se fillimisht nuk ia duan të mirën komunitetit të tyre, e pastaj edhe të tjerëve.  Jetojmë në një shekull tjetër dhe këto lloj formash nuk sjellin ndonjë gjë. Debati duhet të kthehet në institucione, sa më shpejt. Unë jam ithtar i idesë se çdo debat duhet hapur, gjithçka duhet diskutuar, por jo rrugëve dhe jo istikameve, po në Parlament, aty ku edhe është vendi i debateve, e prandaj Parlamenti duhet sa më shpejtë të nisë dhe të bëjë punën e tij.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. If only this interview was translated in Macedonian and distributed to the media the protesters might read. Otherwise its like talking to yourself.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button