Komuna e Strugës: BDI me investime në fshatrat e pastra maqedonase

Përderisa ditët e fundit partia shqiptare në pushtet, BDI  në fshatrat shqiptarë propozon nga 10 kandidatë për deputetë, në të njëjtën kohë e njëjta parti kujdeset për investime vetëm në fshatrat maqedonas, thuhet ën Komunikatën e Komunës së Strugës.

Kështu, pas investimeve për ndërtim dhe rikonstruim të pesë fushave sportive në fshatrat maqedonase, Nerez, Lozhan, Morovishtë dhe Misleshovë, për të cilat komuna e Strugës nuk jep leje, më pas ndarjen e mjeteve për ndërtim të sistemeve të ujësjelësit dhe kanalizimeve në Llukovë dhe Nerez,  partia shqiptare në pushtet kujdeset që këtyre tu bashkangjiten edhe investimet tjera në infrastrukturë, prapë në vendbanimet e pastra maqedonase.

Kështu, ditëve të fundit, Qeveria e Republikës së Maqedonisë, ka lëshuar letër rekomandimi drejtuar Komunës së Strugës, ku rekomandohet që komuna brenda një afati të caktuar të shqyrtojë dhe të veprojë sipas përfundimeve të nxjerra nga mbledhja e Qeverisë më datë 08.01.2014. Konkretisht bëhet fjalë për investime në fshatrat e komunës së Strugës, të gjitha të përkatësisë etnike maqedonase. Kështu kërkohet nga komuna e Strugës që të shqyrtojë mundësinë e ndërtimit të një salle sportive në fshatin Drasllajcë dhe këtë ta bëjë më së voni deri në Tetor 2014.

Kërkohet nga Komuna e Strugës, që në afat prej 10 ditësh, të dorëzojë kërkesë për ndërtim të sistemit të kolektorit në fshatin Radozhdë.

Kërkohet nga Komuna e Strugës, që Brenda 10 ditëve të kompletojë informacionet lidhur me lumin në fshatin Morovishtë, me qëllim pastrimin e tij.

Gjithashtu rekomandohet Komuna e Strugës, që në bashkëunim me Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve dhe Ndërmarrjen Publike për rrugë shtetërore, ta shqyrtojë mundësinë për ndërtimin e rrugës që lidh fshatrat Misleshove dhe Morovishtë, për asfaltim të rrugicave Brenda fshatrave Radozhdë dhe Vranishtë dhe ndërtimi I rrugës për këmbësorë  përreth rrugës në fshatin Vranishtë (ndërsa rruga që lidh fshatrat shqiptare Bixhovë, Novosellë, Tatesh dhe Misllodezhdë, vite me radhë është lënë në mëshirë të fatit).

“Të gjitha këto, janë projekte që realizohen nga Buxheti i shtetit, të cilin e mbushin edhe taksapaguesit shqiptarë. Logjika e kryerjes së obligimeve të qytetarëve ndaj shtetit, gjegjësisht mbushja e arkës shtetërore nga ana e taksapaguesëve, do të thotë që ato para ti kthehen qytetarëve në forma të investimeve të ndryshme në infrasktrukturë apo fusha tjera të jetës. Këtë logjikë nga ana e partisë shqiptare në pushtet e kanë kuptuar “shumë mirë”, ndaj ato nuk ndalen së investuari në vendet ku jetojnë maqedonasit, ndërsa te shqiptarët vazhdon logjika e ish sistemit, ku kjo kategori qytetarësh investimet i bënte me forcat e veta, pavarësisht faktit se kontribuojnë në mbushjen e Buxhetit shtetëror ndoshta edhe më shumë se maqedonasit.

Kjo logjikë e funksionimit të kësaj garniture qeverisëse, tashmë ka filluar të marrë përmasa raciste ku skajshmërisht diskriminohet popullata shqiptare, e cila të paktën në Komunën e Strugës përbën shumicën me mbi 60% të popullsisë.

Megjithatë, Komuna e Strugës nuk do të pranojë këtë logjikë të BDI-së, për investime vetëm në vendbanime të pastra maqedonase, që për qëllim kanë urbanizimin e tyre kundrejt fshatrave shqiptare, të cilat dita ditës po shkojnë drejt getoizimit.

Përkujtojmë për të disatën herë, Qeverinë e Republikës së Maqedonisë dhe të gjitha institucionet në varësi të saj, partinë shqiptare në pushtet, mediat dhe opinionin e gjërë strugan, se Komuna e Strugës edhe pse nuk është kundër investimeve në të gjithë territorin e saj, nuk do të lejojë investimet të tilla diskriminuese dhe raciste ndaj popullatës shumicë në Strugë”, thuhet në komunikatë.

Lajme të ngjashme

Back to top button