Atentat punonjëses së Call Center, identifikohet autori

A. B, është një e re që pasditen e djeshme ka rënë pre e një atentati në momentin që ka përfunduar punën. Ngjarja e rëndë dhe thuajse e pazakontë në vendin tonë ka ndodhur në mes të Tiranës, ndërsa një person, relativisht në moshë të re ka hyrë në korridorin e një kompanie “Call Center” dhe ka pritur që të dalë nga puna vajza. Ai e ka qëlluar me një plumb në këmbë dhe është larguar menjëherë nga godina. Skena e pazakontë është zhvilluar në katin e dytë të godinës ndërsa vajza, që sipas të dhënave të policisë është 28 vjeç, është transportuar menjëherë në drejtim të Spitalit Ushtarak.

Për shkak edhe të afërsisë së vendit të ngjarjes me Drejtorinë e Policisë së Tiranës, blutë kanë rrethuar menjëherë zonën dhe kanë nisur shoqërimet e para. Meqë, për fatin e mirë, vajza është jashtë rrezikut për jetën, policia ka mundur menjëherë pas marrjes së mjekimeve të para të shkëpus prej saj rrëfimin, duke bërë të mundur edhe zbardhjen e ngjarjes. A.B, ka shpjeguar konfliktet që ka patur kohëve të fundit me një femër, konflikte që nuk dihet se për çfarë motivesh kanë ndodhur, por policia ka shpallur në kërkim pikërisht një mik të vajzës me të cilën kishte konflikt vajza e plagosur. Burimet nga policia e Tiranës bëjnë me dije se personi është identifikuar dhe po punohet për arrestimin e tij dhe vënien para drejtësisë për aktin e paprecedent. A. B, mësohet se gjendet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa është shoqëruar dhe është marrë në pyetje edhe vajza që ka patur konfliktin me punëtoren e ‘Call Center’.

Lajme të ngjashme

Back to top button