Kosovë: Qytetarët serbë e lirojnë me dhunë një të paraburgosur

Dhjetëra qytetarë serbë kanë hyrë me dhunë natën e së mërkurës në stacionin e policisë në Zubin Potok, në pjesën veriore të Kosovës, për të liruar një person të paraburgosur gjatë ditës nga autoritetet e rendit. 

Ai ishte paraburgosur për prishje të rendit dhe qetësisë publike.  

Kryetari i këtij qyteti, Stevan Vulloviq, u ka thënë gazetarëve se “banorët lokalë kanë depërtuar dhe kanë liruar personin e arrestuar Sllobodan Sovrliq”, në kërkim të të cilit thuhet se policia ishte tash e sa kohë. 

Në deklaratën për gazetarët, Vulloviq tha se “disa makina të misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, ishin larguar nga ky qytet”.

Ai e ka përshkruar situatën e mëpastajme si të qetë dhe tha se qytetarët, që e kishin bllokuar stacionin e policisë së Kosovës në Zubin Potok, ishin shpërndarë.

Raportohet se ka pasur dëme materiale. Autoritetet në Kosovë nuk e kanë komentuar rastin, e deri më tash as misioni EULEX. 

Reagimi i vetëm vjen nga zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, e cila përmes një komunikate ka dënuar ndërhyrjen në stacionin e policisë dhe ka tërhequr vërejtjen se “çdo dhunë që shkaktohet nga serbët gjithmonë shfrytëzohet edhe si shkas për të arsyetuar sulmet ndaj tyre dhe pronës së tyre”.

Lajme të ngjashme

Back to top button