MASH dështon në planifikimin e kuadrove

Fakultetet e shkencave shoqërore sërish pritet të jenë më të kërkuarat nga maturantët të cilët këtë vit përfundojnë shkollimin e mesëm.

Edhe pse ka kuadër të tepërt dhe shumica e të diplomuarve në drejtimet e ekonomisë dhe juridikut janë të papunë, si duket prapë këto dy drejtime janë më të kërkuarat për studentët.

Zëdhënësi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), Goran Galevski bën të ditur se janë hapur vende të lira dhe janë zgjeruar drejtimet në fakultete të ndryshme.

“Ne kemi ndërmarr masa duke hapur drejtime të reja për të cilat kuadro ka nevojë Maqedonia, mirëpo përzgjedhja sërish varet nga maturantët andaj se pse preferohen këto dy drejtime duhet të pyeten ata personalisht”, tha Galevski.

Nga ana tjetër analisti Izet Zeqiri këtë situatë e vlerëson si dështim të planifikimit të kuadrove nga ana e MASH, ku sipas tij zgjidhje e problemit do të ishte nëse zvogëlohet numri i vendeve të lira në drejtimet shoqërore.

“Jemi të informuar për këtë gjendje, ka shumë jurist dhe ekonomist të cilët me diploma në dorë bredhin rrugëve sepse janë në numër të madh dhe prapë se prapë të gjithë preferojnë të regjistrohen në këto drejtime. Zgjidhje e këtij problem do të ishte nëse numri i studentëve që do të pranohen në drejtimet shoqërore të ulet dhe në drejtimet tjera për të cilat kuadro me të vërtet ka nevojë Maqedonia, të rritet numri. Studentët janë të rinj dhe mund të mos dinë gjë për tregun e punës dhe për këtë arsye si më fitimprurëse ju duken këto drejtime”, tha për Portalb, Zeqiri.

Sipas tij kjo shtyn të rinjtë të bien në depresion dhe të kërkojnë punë dhe ardhmëri më të mirë jashtë shtetit.

“MASH nuk bën analizë të tregut të punës dhe për këtë arsye rinia është në këtë gjendje. Mund të them se largimi nga vendi për të gjetur një ardhmëri më të mirë në vendet e huaja është një fenomen masovik, i cili po rritet dita ditës”, tha Zeqiri.

Ky fenomen vërehet të jetë prezent edhe në shkollat e mesme, ku drejtimet më të kërkuara janë gjimanzi, mjekësia dhe ekonomia.

Ndërkaq sipas statistikave të MASH-it, në shkencat matematiko-natyrore gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 4537 student,  në shkencat shoqërore 8076 student, në mjekësi 2443, në shkencat bioteknike 909 dhe në fakultetet e arteve 286 student. 

Lajme të ngjashme

Back to top button