fbpx

Zyrtare: Shkëndija – Renova në SuperSport

Derbi shqiptar i xhiros së 22-të të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë ndërmjet Shkëndijës dhe Renovës do të transmetohet drejtëpërsëdrejti në kanalin shqiptar më të njohur në Ballkan, Super Sport. 

Edhe pse disa media dhe portale të caktuara shpejtuan për të përhapur lajmin për transmetimin “LIVE” të derbit lokal të Tetovës, gjithsesi konfirmimi vjen vetëm pasi kryesia e KF Shkëndija arrin që të merr leje për një gjë të tillë nga Federata e Futbollit të Maqedonisë dhe Radio Televizioni i Maqedonisë. Kjo pasi të gjithë skuadrat elitare kanë firmosur me FFM-në që deri në fund të sezonit të drejtat për transmetim televiziv t’i takojnë RTVM-së. Kjo do të jetë hera e parë në histori që një kanal nga Shqipëria do të transmetojë direkt një përballje të kampionatit të Maqedonisë, kuptohet me protagonistë ekipet shqiptare. 

Pasi tani më disa vite bëhet transmetimi i kampionatit të Shqipërisë dhe nga viti i kaluar transmetohen edhe ndeshjet e kampionatit të Kosovës, platforma Digitalb tejkalon kufijtë gjeografik, duke përfshirë për një moment në eterin e vet të gjitha trojet shqiptare përmes lojës së futbollit. 

Lajmi për transmetimin direkt të derbit shqiptar të Maqedonisë është pritur pozitivisht në opinion, ndërsa drejtuesit e Shkëndijës shfrytëzojnë këtë mundësi që të falënderojnë Digitalb-in për këtë hap, duke shpresuar që kjo nismë në të ardhmen të bëhet e zakonshme. 

Kujtojmë që përballja e xhiros së 22-të të LPFM-së ndërmjet Shkëndijës dhe Renovës do të zhvillohet të dielën me fillim në orën 14:00. Ndërkohë të shtunën, po në Super Sport, në kuadër të emisionit Sport News do të emitohet reportazh për këtë përballje, me protagonistë nga të dyja ekipet.

Lajme të ngjashme

Back to top button