USHT, konferenca shkencore me temë “Shteti juridik dhe demokracia”

Në Universitetin Shtetëror të Tetovës i filloi punimet Konferenca shkencore ndërkombëtare, me temë: “Shteti juridik dhe demokracia”, e organizuar nga Fakulteti Juridik. Në këtë konferencë, punimet e së cilës do të zhvillohen gjatë këtyre dy ditëve, marrin pjesë emra të njohur të shkencave juridike nga Maqedonia, Shqipëria, Kosova, Bullgaria dhe Bosnjë e Hercegovina. 

Punimet e konferencës i hapi Rektori i USHT-së, Vullnet Ameti i cili theksoi se kjo konferencë ka për synim trajtimin e çështjeve të së drejtës. “Fillimisht, më lejoni që në emër të Universitetit Shtetëror të Tetovës si dhe në emrin tim personal të shpreh kënaqësinë për organizimin e kësaj Konference të rëndësishme shkencore me karakter ndërkombëtar e cila, duke pasur për synimin e vet parësor trajtimin e çështjeve të së drejtës, ka arritur të tubojë në gjirin e vet shumë personalitete eminente të skenës politike kombëtare dhe ndërkombëtare, shkencëtarë të njohur në fushën e jurisprudencës, kulturës dhe ekonomisë, të cilët dita-ditës po kontribuojnë në kuptimin sa më të mirë të çështjeve juridike, politike- ekonomike dhe në emancipimin e gjithmbarshëm të shoqërisë tonë dhe më gjerë”, tha Vullnet Ahmeti.

Në konferencën shkencore kushtuar shtetit ligjor dhe demokracisë mori pjesë edhe ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti, i cili tha se tema është mjaftë e qëlluar duke shtuar se edhe Maqedonia po punon në drejtim të krijimit të shtetit ligjor. “Sigurisht që Fakulteti Juridik i USHT ka zgjedh këtë temë të rëndësishme që trajtohet nga shumë shtete që janë më të zhvilluara se ne dhe gjithsesi në bashkëpunimin që e kemi ne si ministri me Fakultetin Juridik besoj se do të japim të gjithë kontributin tonë, dhe më  vjen mirë që Universiteti dhe Fakulteti Juridik të japin kontributin e tyre në këtë drejtim dhe këtë fushë e cila është shumë e rëndësishme, gjithsesi se Maqedonia çdo ditë punon që të jetë në një standard sa më të lartë, ku shteti juridik dhe demokracia do të jenë shtyllat më të rëndësishme, si për qytetarin, si për institucionet, si për shtetin, si për etnitetet, për të gjitha komunitetet në vend, pasi që pa këto është e pamundshme që të kemi një funksionim të mirëfilltë si të institucioneve por edhe të vetë shtetit”. 

Lajme të ngjashme

Back to top button