Na mbyti turbo-folk nacionalizmi

Nacionalizmi, ka thënë Semjuel Xhonson, është streha e fundit e vagabondëve. Kurdo e kudo që ndjehen të rrezikuara, struktura të ndryshme ndezin zjarrin e nacionalizmit me qëllim që të zhvendosin vëmendjen nga krimi e korrupsioni i tyre. Për fat të keq tentimet e këtilla shpesh gjejnë mbështetje te masa të gjëra njerëzish, të cilët me synim të mirë por pa vetëdije bëhen pjesë e skenarëve të këtyre strukturave.

Kështu është edhe kësaj rradhe, kur struktura të ndryshme nëpër Ballkan i fryjnë zjarrit të nacionalizmit për të shpërqëndruar vëmendjen nga dështimet e tyre. Fenomeni është sidomos aktual në Maqedoni. Gjithçka filloi me protestat e “tvrdokornive” dhe rezistencës kundër të ashtuquajturës platformë të Tiranës, që po shoqërohet këtë javë me lloj-lloj qëndrimesh e deklaratash në të njëjtën frymë nacionaliste.

Protestat e “tvrdokornive”. Këto protesta, që do ishin qesharake po të mos ishin qëllimkëqija, vazhduan edhe këtë javë. Kushdo me dy fije mend në kokë e ka të qartë që qëllimi i protestave është të shpëtojnë lëkurën e funksionarëve të VMRO-së dhe të pamundësojnë formimin e qeverisë së re. Jo rastësisht në ballë të tyre janë njerëz që kanë përfituar beneficione të majme nga kjo parti dhe jo rastësisht protestat po marrin emrin “revolucion i drejtorëve”. Vetë protestat me gjithë sloganet e tyre qesharake duken si të dala nga ndonjë serial komik.

Qëllimi i protestave padyshim është provokimi i shqiptarëve për kundërpërgjigje. Me këtë beteja do të hidhej në plan etnik, ndoshta edhe me një konflikt të vogël që do duhej të zgjidhej në tavolinë. Kështu nga përndjekja penale do të shpëtonin të dyshuarit nga PSP, ashtu siç shpëtuan një varg politikanësh të korruptuar pas konfliktit të vitit 2001. Mu për këtë shqiptarët po përgjigjen si më mirë; duke ruajtur gjakftohtësinë, injoruar protestat dhe duke u fokusuar te qëllimi kryesor – rrëzimi i VMRO-së nga pushteti. Natyrisht me përjashtime që do t’i cek më poshtë.

Deklarata e ASHAM-it. Pasi protestat, bashkë me VIP-at që kinse po i përkrahin, nuk po japin efekt, këtë javë u fut në lojë edhe institucioni më qesharak dhe më i kotë në Maqedoni – Akademia e Shkencave dhe Arteve. Kryetari i saj deklaroi se me platformën e Tiranës po rrezikoheshka shteti e identiteti maqedonas, si dhe fillon islamizimi i Maqedonisë.

Deklarata duket si e dalë nga skeçet e Monty-Python. Nga njëra anë fajtori kryesor Edi Rama, një katolik, akuzohet se fillon procesin e islamizimit të një shteti tjetër. Nga ana tjetër këtij shteti po na i dilka në mbrojtje ASHAM-i, po ai që në vitin 2001 propozoi ndarjen e shtetit. Përsëri do kishim qeshur, sikur mos e dinim se ky institucion debilësh paguhet nga paratë tona. Një tjetër rundë turbo-folk nacionalizmi, sa idiotesk, aq edhe i dëmshëm.

Mesila Doda vs. Ermina Lekaj Prlaskaj. Që mos rastësisht protestuesit dhe ASHAM-i mbesin të vetëm në imagjinatën e tyre të bujshme për sulm të koordinuar ndaj identitetit maqedonas, u përkujdes deputetja e partisë çame të Shqipërisë Mesila Doda. E transferuara nga koalicioni demokrat te ai socialist të cilën e presin zgjedhje në qershor, lëshoi një varg deklaratash nga facebook-u, që s’kemi si ti quajmë ndryshe përveç rafal tjetër turbo-folk nacionalizmi. Nga komoditeti i karrikes në Tiranë, siç bëjnë plot politikanë e analistë tjerë të etur për vëmendje, ajo morri të drejtën të na tregojë se ç‘prioritete duhet të kemi, e që kryesisht ishin në vijë me prioritetet e “tvrdokornive” e ASHAM-it.

Natyrisht zonja Doda ka të drejtë të deklarojë ç‘të dojë. Por ajo është deputete, që do të thotë se ka hapësirë veprimi shumë më të gjerë se një qytetar i thjeshtë. Nëse ajo vërtetë beson te ajo që thotë, atëherë ka mundur të ndërmarë hapa tjerë shumë më efikas. Për shembull ajo në parlamentin shqiptar mund të kërkojë hulumtim të votuesve fantomë të Pustecit, krimeve të Edmond Temelkos, dënim të qëndrimeve VMRO-iste të Kurcit austriak apo Orbanit e Szijartos hungarez. Si deputete ajo duhet të veprojnë INSTITUCIONALISHT, jo me fraza boshe që i hedhin benzinë zjarrit. Por jo, kurrë nuk duhet pritur që ajo ose kolegët e saj nga Shqipëria të hyjnë në telashe me të huajt apo partnerët e vet maqedonas të koalicionit, për hatër të “malokëve” shqiptarë të Maqedonisë. Ne ju duhemi vetëm si mish për top për popullaritetin e tyre.

Po këtë javë lexoj se deputetja shqiptare në parlamentin kroat, Ermina Lekaj Prlaskaj, po lobon me sukses për hapjen e një katedre të shqipes në Zagreb. Ky është vetëm njëri nga kontributet e shumta të zonjës Prlaskaj për afirmimin e shqiptarëve në Kroaci, por edhe më gjerë. Me sa e di zonja Prlaskaj kurrë nuk ka dhënë deklarata bombastike për shqiptarët, por si duket po punon pa ndalë për të përfaqësuar siç duhet popullin dhe votuesit e saj. Tani ju vlerësoni vetë se cila deputete bën më mirë punën e vet. Unë personalisht mendoj se nëse zgjidhet përsëri deputete, zonja Doda duhet të niset menjëherë në kurs deputetësh te zonja Prlaskaj në Zagreb.

Shkatërruesi i Jugosllavisë dhe ruajtësi i Maqedonisë. Pas tezës se ka shkatërruar Jugosllavinë, duket se Ali Ahmeti më së shumti parapëlqen të thotë se ai personalisht ka refuzuar ofertë për ndarje të Maqedonisë. Këtë tezë e përsëriti në intervistë te TV21 dhe përsëri do të ishte për të qeshur, sikur ai mos ishte kryetar i partisë më të madhe shqiptare në Maqedoni. Me këso deklaratash zotëri Ahmeti dëshmon se është veçse një tjetër politikan megaloman ballkanas që mendon se është shumë i rëndësishëm në skenën botërore, ndërkohë që nuk e ka haberin se si shkojnë punët në gjeopolitikë. Është për t’u habitur pse askush nuk i tregon se për ndryshim kufijsh nuk pyetet as ai, as Gruevski, Zaevi, Rama e Vuçiqi, por as popujt e Ballkanit. Këto kufinj i kanë vendosur tjera fuqi dhe vetëm ato mund t’i ndërrojnë. Që do të thotë se si me shkatërrimin e Jugosllavisë, ashtu dhe me muhabetin e ruajtjes së Maqedonisë, Ali Ahmeti i fryn turbo-folk nacionalizmit, që s’i bën as nder as të mirë askujt.

Gjithë këto raste, bashkë me qindra tjerëve nëpër gjithë Ballkanin, si trenat e muret në Mitrovicë, kanë disa gjëra të përbashkëta. Së pari ata vijnë nga qarqe që s’kanë çfarë të humbin me kësi temash. E dyta ata janë krejtësisht të padobishme sepse janë vetëm gjeste e llafe bosh. E treta ata shkaktojnë dëm, sepse ka njerëz që mund t’i marrin seriozisht. Me një fjalë ato janë veprime e deklarata krejtësisht të papërgjegjshme. Për fund të gjitha kanë qëllimin e njëjtë: ndërrimi i temës nga krimi e korrupsioni tek konfrontimi nacionalist. E kjo mund t’u konvenojë vetëm vagabondëve, siç ka thënë mendimtari i dikurshëm britanik Semjuel Xhonson.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Komentet

  1. Sa mire qe e ke vendos edhe Mesila Doden ne liste, te mbahet barasapesha, ta ruajme “bratsvo-edinstvon”. Zoti Robert, te keqen nuk e ke nga Mesila, ajo as nuk fyu njeri, as nuk thirri per lufte, thjesht iu referua nje termi historik per kete pjese te tokes, qe nuk eshte termi qe perdorej nga ish-Jugosllavia (emer qe ka nje arsye qe kontestohet). “Nga komoditeti i karrikes në Tiranë” shumica mundohen te jene kozmopolit (dhe vetmohues), ashtu si eshte edhe teksti yt. Te gjithe patriotet nuk jane maskarenj, por kjo nuk vlen per vetmohuesit, ata jane shume me keq se kaq.

  2. Bera nje koment ne kete shkrim, komenti u aprovua, por ishte kishte jete vetem 7 minuta. Pas 7 minutash komenti eshte fshire. Shpresoj te jete gabim teknik. Nese jo, kjo do te thote se nuk jeni media e pavarur.

Leave a Reply to Vetmohuesi eshte me keq se maskarai Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button