KSHZ filloi me distribuimin e materialit zgjedhor

Komisioni shtetëror zgjedhor sot në mëngjes në shtypshkronjën e Manastirit SHA “Kiro Dandaro” filloi ta marrë dhe të bëjë distribuimin e materialit zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme presidenciale të cilat të dielën do të mbahen në Republikën e Maqedonisë. 

Drejtori i shtypshkronjës “Kiro Dandaro”-Manastir, Dragi Milloshevski deklaroi se materiali zgjedhor në tërësi është shtypur dhe në afatin të cilin e ka dhënë Komisioni shtetëror zgjedhor, me çka edhe njëherë janë konfirmuar standardet e larta dhe profesionalizmi i kësaj kompanie. 

Materiali votues do të jetë në funksion të të gjithë votuesve në listën e vetme zgjedhore e cila për zgjedhjet e sivjetme presidenciale në Republikën e Maqedonisë është  1.779.572 qytetarë me të drejtë vote. 

Siç është e njohur, sipas listës së vetme të kandidatëve për president të Republikës së Maqedonisë, në fletëvotim me numër rendor 1 është Gjorge Ivanov, kandidat i VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit ” Për Maqedoni më të mirë”, me numër rendor 2 është Iljaz Halimi, kandidat i Partisë demokratike shqiptare- PDSH, me numër rendor 3 është Stevo Pendarovski, kandidati i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë – LSDM dhe me numër rendor 4 është Zoran Popovski, kandidat i grupit të votuesve të Opcionit qytetar për Maqedoninë – GROM. 

Në fletëvotimin për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Maqedonisë më 13 prill 2014, siç vendosi Komisioni shtetëror zgjedhor, kandidatëve të propozuar nga një grup deputetësh do t’u shënohet emri i kandidatit, numri i deputetëve të cilët e kanë propozuar dhe simboli partiak, ndërsa atyre që janë propozuar me nënshkrime të qytetarëve pranë emrit të kandidatit do të shkruaj një grup i zgjedhësve dhe simboli i partisë. 

Procesin zgjedhor në Republikën e Maqedonisë të dielën më 13 prill do ta ndjekin 8.325 vëzhgues të akredituar vendor dhe 326 vëzhgues të akredituar jashtë vendit.

Lajme të ngjashme

Back to top button