Maqedoni: Sondazhet e (pa)besueshme

Sapo afrohen zgjedhjet, është bërë e zakonshme që qytetarët e Maqedonisë të bombardohen me rezultate sondazhesh të ndryshme rreth besueshmërisë së partive politike. 

Vetëm brenda tri ditëve të fundit, në Maqedoni janë publikuar tri anketa, nga organizata joqeveritare si dhe institutet politike, të cilat merren me analizat dhe hulumtimin e opinionit publik. Ato kanë nxjerrë në pah rezultate, të cilat dallojnë shumë njëra nga tjetra lidhur me rejtingun e partive politike, po edhe besueshmërinë që kanë rreth kandidatëve, që garojnë për president të shtetit, transmeton REL. 

Ekspertët thonë se në Maqedoni anketat gjithnjë e më shumë paraqesin mënyrë për modelimin e mendimit publik, duke u shndërruar kështu në një vegël në funksion të partive politike.

“Besueshmëria e anketave, veçanërisht këto, të cilat prezantohen intensivisht gjatë fushatës zgjedhore te qytetarët, ka rënë dukshëm sidomos tek ajo pjesë, e cila është e përcaktuar. Por, në këtë rast, duhet theksuar efektin psikologjik nga porositësit e anketave, sigurisht fjalën e kam për partitë politike, të cilat përmes kësaj forme, tentojnë të ndikojnë te të papërcaktuarit që t`i bashkohen më të fortit, gjegjësisht fituesit”, vlerëson Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë.

Nga ana tjetër, Vlladimir Bozhinovski, analist politikolog, konsideron se gjatë prezantimit të rezultateve të anketave të ndryshme, jepet shumë pak informacion në lidhje me besueshmërinë e burimit që i ka mbledhur të dhënat rreth një opinioni të caktuar. Madje, sipas tij, ka raste kur pothuajse aspak nuk prezantohen të dhëna nga ana e mediave, të cilat mund të përdoren për dëshmimin e kredibilitetit dhe kapacitetit të atyre organizatave ose institucione që merren me hulumtimin e opinionit publik.

“Thjesht, nëse analizohen rezultatet e anketave të paraqitura në ciklet e kaluara zgjedhore, 2006 ose 2008, ose ato të fundit më 2012 dhe sa ato rezultate të anketave, pastaj pas proceseve zgjedhore, kanë rezultuar si të sakta, do ta kuptoni shumë qartë se në Maqedoni ka qendra hulumtuese që në variabla shumë të larta, kanë arritur të prognozojnë rezultatet nga zgjedhjet”, thekson Bozhinovski.

Ai thekson se qytetarët kanë humbur besimin, sepse viteve të fundit rezultatet e një pjese të anketave janë manipuluar nga institute të caktuara në këmbim të pagesave të majme nga ana e partive politike. 

Bozhinovski thekson se edhe atëherë kur ndonjë qendër hulumtuese me profesionalizëm është duke e bërë punën e vet, pjesa më e madhe e popullatës shprehet se nuk do të votojë, ose ende nuk ka vendosur se kujt do t`ia besojë votën. Kështu, çdo rezultat i arritur nuk është i kompletuar dhe paraqet pasqyrë të mangët rreth realitetit që ekziston në vend.

Ndërkaq, Albert Musliu thotë se në rrethana të partizimit të skajshëm të shoqërisë dhe njëkohësisht kur pjesa më e madhe është e punësuar në institucionet shtetërore, është e kuptueshme që të anketuarit me telefon të kenë frikë të shprehen lirshëm për bindjet e tyre politike duke fokusuar si problematik anonimitetin e anketave.

“Po anketat më reale janë ato, të cilat nuk publikohen. Pra, anketat të cilat partitë politike i bëjnë për nevojat e tyre, e që i përdorin si guida se në ç`drejtim të veprojnë për të fituar besimin e elektoratit”, thekson Musliu.

Njohësit e kësaj çështjeje disa herë kanë theksuar se është më se e nevojshme që në Maqedoni të themelohet një Institut relevant ndërkombëtar për të matur opinionin e qytetarëve, i cili do të shërbejë si “bosht i së vërtetës”, nga ku do të detyrohen edhe organizatat e vendit për të qenë sa më objektive gjatë prezantimit të rezultateve nga sondazhet.

      

Lajme të ngjashme

Back to top button