Riaktivizohet “frika” e VMRO –DPMNE-së nga Prokuroria Speciale

“Prokuroria Speciale Publike (PSP) me anulimin e rastit “Puç”, me lëshimin e Verushevskit nga paraburgimi dhe me atakun e tanishëm ndaj mediave konfirmoi se nuk ka asnjë arsye racionale për vazhdimin e mandatit të saj”, kështu thuhet në kumtesën e sotme të VMRO-DPMNE-së, e cila edhe sot e sulmon ekipin e shefes së PSP-së, Katica Janeva, njofton Portalb.mk.

VMRO-DPMNE-ja, siç theksohet në kumtesë, votoi për PSP-në e cila në mënyrë profesionale, paanësisht dhe në mënyrë joselеktuese do ta kryejë punën.

“VMRO-DPMNE-ja nuk ka votuar për PSP-në që do të jetë bashkëpunëtore e parë dhe dëgjuese e kriminelëve të falur dhe do të shërbejë si organizatë komunale e udhëheqësisë së LSDM-së. VMRO-DPMNE-ja nuk votoi për PSP-në e cila do të frikësojë dhe do të mbyllë media. VMRO-DPMNE-ja nuk votoi për PSP-në e cila do të punësojë të afërm dhe anëtarë partiakë të LSDM-së dhe do të angazhojë funksionarë dhe subjekte të Zaevit si ekspertë”, theksojnë nga VMRO-DPMNE-ja. 

Kumtesa e VMRO-DPMNE-së, vjen pasi dje pati “përplasje” mes tyre dhe PSP-së, për ashtu siç akuzoi partia e Nikolla Gruevskit se “PSP ka lidhje me LSDM-në e Zoran Zaevit”. Megjithatë PSP i hodhi poshtë këto pretendime duke ia kujtuar VMRO-DPMNE-së se edhe ata e kanë votuar këtë institucion.

Frika e VMRO-DPMNE-së nga Prokuroria Speciale

Gruevski dhe VMRO-ja “therë në sy” e kanë Janëven dhe ekipin e saj, të cilët po e heton krimin dhe korrupsionin e funksionarëve të saj ndërkaq “patriotizmi” kundrejt mos pranimit të dygjuhësisë dhe Platformës është arsyetim populist dhe shmangie e vëmendjes nga frika e vërtetë e tyre. Platforma e Partive Shqiptare nuk është gjë e re për liderin e VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski. Dokumenti i ngjashëm është negociuar në komisionet qeveritare të Maqedonisë më 2015-tën.

Gazeta austriake “Standard” dje shkruajti se VMRO-DPMNE frikësohet nga proceset gjyqësore dhe mundohet që me ndihmën e presidentit Gjorge Ivanov, ta ndalojë këtë proces.

Gazeta gjermane, “Frankfurter Algemajne Cajtung”, në fillim të marsit, menjëherë pasi presidenti Gjorge Ivanov, refuzoi që t’ia ndajë mandatin liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, shkruajti se shumica e udhëheqësisë së VMRO-DPMNE-së frikësohen nga burgu.

“Para se gjithash udhëheqësia rreth Nikolla Gruevskit përballet me tjetër rrezik: shumicave prej tyre, u kanoset burgu nëse bien nga pushteti. Nga bisedat e përgjuara të cilat i ka publikuar lideri i opozitës në vitin 2015, u bë e qartë se ky grup me mjete të paligjshme ka vepruar kundër kundërshtarëve: mashtrime zgjedhore, fshehje të krimeve, persekutim të kompanive private dhe kontroll ndaj mediave. Këto raste i hulumton Prokuroria Speciale, megjithatë vetëm para disa ditëve, të gjithë gjykatësve të Gjykatës Penale, të cilët kanë punuar në lëndët e PSP-së, u janë ndërruar pozicionet, në departamente të cilat “nuk janë të rrezikshme” për Gruevskin”, shkruan FAC.

Ndryshe nga VMRO-DPMNE, LSDM-ja e Zaevit, në programin e ri qeveritar të publikuar më 10 mars, në pikën 9, ka premtuar se “do të sigurojnë sistem gjyqësor të pavarur, efikas dhe profesional”. Sipas tyrel, partitë do të jenë larg gjyqësorit, ndërkaq dhe do të formohet Departament Special në Gjykatën Themelore për rastet e Prokurorisë Speciale.

Partitë shqiptare, BDI, Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët, kanë deklaruar disa herë se janë “për” vazhdimin e mandatit të Prokurorisë Speciale, e cila do t’i zbardhte lëndët me interes publik siç janë “Sopoti”, “Monstra” dhe “Lagjja e Kumanovës”.

LEXO NË LIDHJE ME LAJMIN:

“Standard”: Shumë persona në VMRO-DPMNE duan të distancohen nga Gruevski

FAC: Gruevski dhe kreu i VMRO-DPMNE-së frikësohen nga burgu

Frika më e madhe e VMRO-DPMNE-së mbetet Prokuroria Speciale

Kundërshtarët e Prokurorisë Speciale, jashtë qeverisë

PSP e heton financimin e VMRO-DPMNE-së në vitin 2014, qytetarë tjerë nga Ohri merren në pyetje

Prokuroria Speciale Publike ankohet nga bllokadat e gjyqësisë

Gruevski merret me konspiracione ndërkombëtare, i frikuar që po shkon në opozitë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button