Osmani: BDI-VMRO investon vetëm në vendbanime maqedonase, RDK mund ta ndryshojë këtë

RDK në krye me Rufi Osmanin dhe kandidatët për deputet vizitoi Balindollin, Çajlën dhe Forinën me ç’rast ata prezantuan programin zgjedhor. 

Osmani theks të veçantë i kushtoi dhunimit të demokracisë dhe procesit të zgjedhjeve të vitit të kaluar me çka u përmbys vullneti i popullit shqiptarë nga tandemi BDI-VMRO duke lënë pasoja shumë negative në komunën e Gostivarit.

Këto pasoja sot janë evidente në një revanshizëm ekstrem duke zbatuar një diferencim të paparë ideopolitikë ndaj anëtarëve të RDK-së të punësuar në sektorin publik dhe në anashkalimin e vendbanimeve shqiptare në lëminin e investimeve publike. Në mandatin 2009-2012 nga kryetari Osmani në këto vendbanime u investua në projekte të ndryshme infrastrukturore mbi 1,5 milion euro ndërsa pushteti i BDI-së nuk ka investuar për 10 vite asnjë euro.

Politikat e qeverisë VMRO-BDI në nivel nacional në sferën e investimeve publike dhe në lëmin e orientimit të investimeve të huaja shkojnë vetëm në Shkup dhe në vendbanimet maqedonase duke anashkaluar në tërësi vendbanimet shqiptare me çka papunësia dhe varfëria te shqiptarët ka arritur në nivele ekstreme dhe është shkaku kryesor për ikje masive të rinisë shqiptare.

“Diskriminimi ekonomik dhe investiv që sot u bëhet shqiptarëve është tradhtia më e madhe dhe dështimi më i madh i BDI-së në mandatin e deritashëm politikë. Vota për RDK-në dhe kandidatët e saj do të jetë garancion se nga buxheti i shtetit do merren parat publike që na takojnë dhe do punohet intensivisht në fillimin e ciklit investiv për hapjen e vendeve të reja të punës në vendbanimet shqiptare” përfundoi Osmani.

Para të pranishmëve ju drejtua edhe shefi i shtabit zgjedhor Vesel Memedi i cili tha se është koha që njerëzit e vullnetit të mirë ti thonë mjaft më gënjeshtrave dhe manipulimeve për punësimin e 100 mijë vetave për shkak se këta njerëz për 12 vite sa janë në pushtet qendror ose lokal, nuk kanë mund të punësojnë as 10% e këtij numri. Është koha që njerëzit e vullnetit të mirë mos të tolerojnë sjellje të kësaj natyre të mashtrimit dhe manipulimit me rininë shqiptare.

Vesel Memedi gjithashtu foli edhe për vlerën e çdo vote të secilit duke argumentuar se vota e secilit është e shenjtë dhe se ky është investimi dhe kapitali më i madh i çdo shqiptari. Ky kapital i madh duhet mbrojtur me çdo kusht në ditën e votimit sepse në të kundërtën për katër vitet e ardhshme do të duhet duruar revanshizmin e paparë të egër në arsim, biznes, investime dhe sferat tjera të jetës.

Kandidati për deputet Sedat Zulbeari theksoi se RDK do e kthen dinjitetin e shtetit ligjor dhe nuk do lejon politizimin e administratës dhe të pushtetit gjyqësor si garantues të të drejtave të qytetarëve.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button