Babai i të gjykuarit të vdekur: Ma mbytën djalin në burg!

Babai i 21 vjeçarit Andrias Rexhepov nga Shuto Orizarja, i cili para katër ditë ka ndërruar jetë në burgun e Idrizovës, në bisedë për CIVIL-Media thotë se dyshon që persona nga shërbimet e burgut janë fajtorë për vdekjen e tij. Ai kërkon urgjentisht të zbardhet rasti dhe të zbulohen arsyet e vërteta për vdekjen, sepse, sipas dëshmisë anonime nga një i burgosur, atë “e kanë rrahur deri në vdekje komandantë të policisë”.

“Shokët e birit tim u lajmëruan nga burgu dhe më treguan se ai gjendet në spital. Kur arrita në spital, nuk më lejuan ta shoh. Pastaj, kur shkuam në burgun në Idrizovë, na informuan se biri im ka vdekur, kjo ishte shokuese për ne. Para dy ditëve e varrosëm djalin, por mendjen e kemi te tjetri, djali ynë 22 vjeçar i cili mbeti në burgun e Idrizovës, kam frikë se edhe atij do t’i ndodhë diçka”, thotë për CIVIL Media, Nehru Rexhepov, babai i të ndjerit.

Aktivisti Gege Demirovski, Për CIVIL Media theksoi se ka dëshmi të cilat tregojnë se i riu është i rrahur në burgun. “Apeloj deri te të gjitha institucionet përkatëse ta zbardhin rastin, në të kundërtën do të dalin mijëra Romë në protestë para Ministrisë për Drejtësi, të Republikës së Maqedonisë”, shtoi Demirovski.

Nga Qendra Evropiane për të drejtat e Romëve (ERRC) – Budapest, thonë se me vëmendje e ndjekin rastin e 21 vjeçarit të ndjerë.

“ ERRC ka përgatitur letër me qëllim të zgjidhjes së rastit, dhe nesër do të dërgohet deri te të gjitha institucionet përkatëse dhe do të kërkohet që urgjentisht të paraqesin të dhëna zyrtare për rastin ( raport detajor nga obduksioni, raport nga vendi nga gjykatës hetimor dhe mjeko – ligjor, raport i hollësishëm toksikologjik), si dhe nisjen e hetimit urgjent nga Prokurori Publik i Republikës së Maqedonisë me detyrë zyrtare, dhe sigurimin e kompensimit të drejtë dhe mbështetje për familjen e të ndjerit. ERRC do të vazhdojë me vëmendje ndjekjen e të gjitha ngjarjeve lidhur me këtë rast, dhe në rast të kryerjes joprofesionale të detyrës nga organet përkatëse, do të inicojmë padi para gjyqeve nacionale dhe ndërkombëtare”, deklaroi për CIVIL Media, juristja Senada Sali nga Qendra Evropiane për të drejtat e Romëve (ERRC), Budapestë.

Nga Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut, kanë dorëzuar kërkesë deri te Komisioni për qasje të lirë për informata të karakterit publik, për pranimin e të dhënave se sa të burgosur kanë vdekur gjatë tre viteve të fundit në Maqedoni. Këshilltari juridik i Komitetit të Helsinkit, Voisllav Stojanovski, për CIVIL Media thotë se problemi më i madh në burgjet është mungesa e personelit shëndetësor dhe se burgjet janë të mbipopulluara. Ai shton se për një shtrat nëpër burgjet, ka nga dy të burgosur dhe se personeli shëndetësor nuk mundet të arrijë t’i takojë nevojat e të gjithëve, për arsye se punohet vetëm në një ndërrim.

“Gjatë 6 muajve të fundit kanë vdekur 7 të burgosur në burgun e Idrizovës. Para tre-katër ditëve vdiq një djalë i ri dhe presim t’i shohim rezultatet nga obduksioni, që të japim komentin tonë për atë rast. Mendoj se Prokuroria duhet publikisht t’i paraqesë rezultatet nga obduksioni dhe ta informojë publikun, sepse kjo është në interes publik. Deri tani nuk kemi pasur paraqitje publike të rezultateve. Mbipopullimi nëpër burgjet deri tani do të ishte zvogëluar nëse do të aplikohej Ligji provues me të cilin personat e gjykuar do ta kryenin dënimin në paraburgim shtëpiak, me mbajtjen e hallkës për ndjekje”, thotë Stojanovski.

Ai thotë se urgjentisht duhet të vendoset personel shëndetësor me prani 24 orëshe në burgjet dhe t’u mundësohet organizatave joqeveritare dhe mediave të realizojnë mbikëqyrje të pavarur në burgjet dhe t’u mundësohen bisedime me të burgosurit. Për arsye se gjatë viteve të fundit, nga Drejtoria për zbatimin e sanksioneve , përveç Avokatit të Popullit, askujt nuk i lejojnë të hyjë në burgjet.

“Nga Komisioni për Parandalimin nga torturimi i KB, në Maqedoni vijnë në çdo dy vite, ndërsa duhet të vijnë në çdo katër vite. Kjo është tregues për kushtet e këqija nëpër burgjet e Maqedonisë”, shton Stojanovski.

Nga drejtoria e burgut i refuzojnë akuzat.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button