Reagime: Gruevski keqpërdor shqipen për fushatë!

BDI e cilëson si të mjerueshme kërkesën e kryeministrit Gruevski për të fituar 63 mandate deputetësh me qëllim që të mos lejojë imponimin e gjuhës shqipe në tërë territorin e Maqedonisë.

“Është mjerim që dikush kërkon mandat ose mobilizim të trupit votues duke bërë fushatë kundër një bashkësie etnike. Ne nuk kërkojmë mandat kundër askujt, por për të realizuar politikat autentike shqiptare dhe në këtë përcaktim nuk do të na ndal asnjë numër i deputetëve të palës tjetër. Shqiptarët tani më e kanë kuptuar këtë mesazh dhe janë bashkuar të gjithë rreth lëvizjes tonë për të neutralizuar kërcënimet e tilla”, theksoi për Portalb, Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

“Çdo votë që nuk është e BDI-së do i shkoj për shtati realizimit të kërkesës së Gruevskit për zbatimin e gjuhës shqipe nga Shkupi në Gjevgjeli”, shtoi Osmani.

Megjithatë për Izet Zeqiri nga RDK retorika e tillë e Gruevskit, ka për qëllim vetëm fitimin e pikëve politike të VMRO-së elektorati maqedonas por edhe BDI-së tek shqiptarët.

“Retorika e Gruevskit do të ashpërsohet gjithnjë e më shumë me afrimin e zgjedhjeve. Gruevski përmes provokimit të ndjenjave etike të maqedonasve por të njëjtën kohë duke provokuar edhe ndjenjat e shqiptarëve, tenton të ndihmojë veten (VMRO-në) dhe të njëjtën kohë ndihmon edhe BDI-në. Pra, duke kërkuar 63 mandate ai nxit ndjenjat e shqiptarëve që të votojnë edhe BDI-në”, theksoi për Portalb, Izet Zeqiri, përfaqësues i RDK-së.

Sipas Zeqirit, partnerët e koalicionit VMRO DPMNE dhe BDI prej kohësh përmes manipulimit të ndjenjave patriotike të qytetarëve sigurojnë jetëgjatësinë e pushtetit të tyre.

PDSH mbetet e pakapshme për të komentuar deklatarën e Gruevskit.

Por eksperti juridik, Naser Zyberi për Portalb vlerëson se në konceptin kushtetues të Maqedonisë ekziston Marrëveshja e Ohrit, ajo është shndërruar në normë kushtetuese dhe kjo çështje nuk është temë e vullnetit të Gruevskit apo dikujt tjetër.

Megjithatë, sipas Zyberit në këtë atmosferë të fushatës parazgjedhore është e natyrshme të dëgjohen lloj-lloj deklarimesh të politikanëve që marrin pjesë na garën parazgjedhore.

“Kuptohet që shpesh herë  me qëllim që të arrihet përkrahje më e madhe e votuesve jepen edhe deklarata ndonjëherë kontradiktore, ndonjëherë tendencioze, ndjella keqe të cilat kanë jetë të shkurtër. Me përfundimin e zgjedhjeve një mori e deklaratave që janë jashtë një normaliteti harrohen. Këtu ka një çështje tjetër indikative, kjo deklaratë vjen nga kryeministri aktual, dhe pretendentit kryesor për kryeministër të ardhshëm dhe ai në fakt nxjerr në sipërfaqe atë qe e ndjen brenda për shqiptarët dhe gjuhën shqipe, për vizionin se si e shikon Maqedoninë”, thekson Naser Zyberi, ekspert juridik.

“Me idenë që të fitojë 63 mandate në fakt ai tregon mos durueshmërinë ndaj partnerit të deritanishëm të koalicionit, ai nuk do të jetë politikan i negociatave, kompromiseve bashkëqeverisjes, por autokrat i cili, nuk do të respektojë asnjë partner tjetër të koalicionit për të qeverisur”, shton Zyberi.

Kryeministri Nikolla Gruevski duke folur në emisionin ‘Jadi Burek’ është shprehur se dëshiron 62 mandate deputetësh me qëllim që të mos kushtëzohet nga BDI-ja.

“Unë nuk kam asgjë kundër shqipes. Megjithatë ti detyrosh me forcë njerëzit në Strumicë, Gjevgjeli, Kratovë në Shkup që me çdo kusht të mësojnë shqip, kjo veçmë është problem”, është shprehur Nikolla Gruevski./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button