Basha: Era po fryn djathtas, ringritje të PD-së

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë mbledhjes së grupit, foli për një rikthim të së djathtëve në pushtet. Në fillim të fjalës së tij, Basha, përshëndeti fitoren e të djathtëve në zgjedhjet e organizuara në Francë dhe në Hungari. Ai shtoi më tej, se kjo tregon se era fryn djathtas në kontinent. Kreu i opozitës ndër të tjera tha se, fitorja e së djathtës është një shenjë për ringritjen e PD-së dhe rikthimin e saj në qeverisje. 

“Tendenca për të votuar të djathtën  po shndërrohet në frymën e kohës ku jetojmë. Ky është një fakt që na shton besimin dhe optimizmin e fillimit tonë të ri, për rritjen e besimit dhe të mbështetjes popullore ndaj PD-së dhe të djathtës, për ringritjen me një mendje akoma më të hapur dhe me një organizim akoma më të fuqishëm në shtëpinë tonë të lirisë për rikthimin me forca, energji dhe vizione të reja në marrjen e përgjegjësive të qeverisjes” tha ai.

Basha më tej në fjalën e tij tha se, “dyshes Rama-Meta iu rroftë propaganda se punë nuk ka. Ata nuk qeverisin por vetëm bëjnë propagandë. Përdredhin ndonjë shifër, marrin ndonjë gjë që ua kemi lënë gati ne”.

Por, sipas kryedemokratit, propaganda pa bukë i ka këmbët e shkurtra. Ai thekson se Rama mashtron çdo ditë me çështjen e borxhit. “Supermashtrimi dhe manipulimi irracional i shifrave pa asnjë doganë Por kryeministrit i duhet një borxh edhe më i lartë se ai real ndaj ka shpikur një borxh që nuk ekziston. Borxhi i paregjistruar nuk njeh limit”.

 “Ky nuk është qëllimi i natyrshëm i çdo opozite. Në rastin e vendit tonë pa e tepruar aspak ky është një mision. Ardhja e qendrës dhe e qendrës së djathtë në qeverisje është një domosdoshmëri për të ndaluar krizën pikiatë dhe për të rimarrë ringritjen.

Hartimi dhe zbatimi i politikave që burojnë nga parimet e lirisë dhe shtetit ligjor, janë rruga e sigurt për të kthyer në shinat e zhvillimit dhe përparimit Shqipërinë e marrë peng, nga eksperimentet e paafta dhe të papërgjegjshme të tipit ‘ku rafsha mos u vrafsha’, nga arroganca, demagogjia dhe papërgjegjshmëria e qeverisë Rama-Meta.

Epërsinë e politikave tona e tregojnë edhe të dhënat e raportit të fundit të INSTAT-it. Ndonëse Rama dhe beniaminët e tij po bëjnë çmos për të manipuluar shifrat e ekonomisë shqiptare në funksion të nxjerrjes së qeverisë së mëparshme”, deklaroi Basha./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button