Spanjë, jo referendumit për Katalonjën

Parlamenti i Spanjës edhe një herë ka hedhur poshtë kërkesën nga rajoni verilindor i Katalonjës për të mbajtur referendum për pavarësi. Pas një debati prej 7 orësh, 299 ligjvënës votuan kundër, 47 ishin pro, ndërsa një deputet abstenoi.

Qeveria e Spanjës ka thënë se votimi e ka mbështetur qëndrimin se referendumi i Katalonjës për pavarësi do të ishte shkelje e Kushtetutës së këtij vendi. Një ditë më parë Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy tha se është dhe do të jetë Kryeministri i të gjithëve. 

“Nuk mund të mendoj një Spanjë pa Katalonjë dhe nuk mund të mendoj që Katalonja të jetë jashtë Spanjës dhe jashtë Bashkimit Europian”, ka theksuar ai.

Për përfaqësuesit e partive në Katalonjë që mbështesin referendumin, refuzimi i parlamentit spanjoll nuk do të ndalojë aspak rrugën drejt pavarësisë. Presidenti i Katalonjës, Arturo Mas u shpreh se ky nuk ishte fundi i një rruge, pasi pas refuzimit institucionet do të kërkojnë mundësi të reja nga ana juridike që referendumi të mbahet në 9 nëntor. Sipas sondazheve, 80 për qind janë në favor të referendumit./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button