Qerimaj e Godelli “pushtojnë” Europën

Ka rezultuar më tepër se i suksesshëm për peshëngritësit shqiptarë, kampionati europian që po zhvillohet në Tel Aviv të Izraelit, madje duke tejkaluar edhe pritshmëritë e tyre dhe të trajnerit Kovaçi.

Peshëngritësi shkodran Erkand Qerimaj është shpallur kampion Europe në dygarësh, për peshat 77 kg, duke ngritur në total 349 kg, ndërsa me të njëjtën peshë të ngritur Daniel Godelli ka zënë vendin e dytë, duke u shpallur nënkampion Europe.

Qerimaj ka ngritur në shkëputje 155 kg, 2 më pak se sa shqiptari tjetër Godelli, me 157 kg, duke marrë medaljen e bronztë në këtë stil, ndërsa Godelli rrëmbeu medaljen e argjendtë, vetëm për shkak të peshës trupore më të madhe se sa peshëngritësi armen, Martirosyan.

Në shtytje, Qerimaj ka ngritur më shumë se gjithë konkurrentët e tjerë, 194 kg, duke marrë medalje të artë në këtë stil, e duke ia lënë vendin Godellit për medaljen e argjendtë, me 2 kg më pak, pavarësisht se 192 kg ngriti edhe peshëngritësi rus Unanian.

Sa i përket garës së femrave, Romela Begaj u skualifikua për shkak dëmtimi gjatë garimit, ndërsa Europiani izraelit i Peshëngritjes do të mbyllet për shqiptarët më 11 Prill, ora 19:30, me garimin e peshëngritësit Ervis Tabaku. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button