Maqedoni, ja cilat janë skenaret për dalje nga kriza politike

Kriza politike e stërzgjatur dhe e cila po thellohet gjithnjë dhe më shumë mund të tejkalohet nëpërmjet dy skenareve. Skenari i pari ka të bëjë me dhënien e mandatit kreut të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev nga presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov, kurse i dyti ndërlidhet me mosrealizimin e skenarit të parë, nga e cila do të rezultonte kryesimi i seancës parlamentare në të cilën do të zgjidhet kryetari i Parlamentit që i njëjti më pas të mandatojë Zoran Zaevin.

Kështu vlerësojnë për Portalb njohësit e çështjeve juridike dhe kushtetuese.

“Një alternativë për të dalë nga kriza është që Gjorge Ivanov t’ia jep mandatin Zoran Zaevit, por nëse ai nuk e bën këtë,  atëherë kryetari i deritanishëm Trajko Veljanoski duhet të ndërmerr hapa për të filluar punën e Parlamentit ku më pas të zgjidhet kryetari i saj. Nëse Veljanoski nuk e ndërmerr këtë hap, atëherë grupi prej më pak se 30 deputetë e thërrasin seancën parlamentare për zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit. Zgjedhja e kryetarit të parlamentin do të mundësonte edhe mandatim të Zoran Zaevit për formim të Qeverisë së re”, u shpreh Bardhyl Kuka, zëvendës i prokurorit publik në pension.

Edhe eksperti juridik Naser Ziberi parasheh dy skenare të mundshme për dalje nga kriza politike aktuale. E para ndërlidhet me dhënien e mandatit Zoran Zaevit nga Gjorge Ivanov, kurse e dyta ka të bëjë me konstituimin e seancës parlamentare, e që për Ziberin kjo “përballet me shumë kundërshtarë politik”.

“Mundësitë për dalje nga situata momentale politike lidhen me dy çështje. Njëra ka të bëjë me atë që Ivanov ta ndryshojë mendimin dhe urgjentisht t’ia jep mandatin Zoran Zaevit ngaqë ai tashmë ka 67 nënshkrime, meqë kjo është rruga më e mirë kushtetuese për ta zhbllokuar pushtetin e konstituimit të organeve të pushtetit. Si alternativë e dytë është edhe ajo se shumica parlamentare të kërkojë vazhdim të seancës parlamentare dhe të zgjidhet kryetari i parlamentit dhe pa mandat të Ivanovit t’i propozohet kuvendit programi qeveritar dhe përbërja e saj. Unë e di se alternativa e dytë përballet me shumë kundërshtarë, por nuk mund të lihet moszgjedhja e pushtetit për veprime të presidentit”, tha Naser Ziberi.

Naser Ziberi shkon më tej, ai për Portalb solli në krahasim rastin aktual të Maqedonisë me ngjarjen politike të 2007-s në Slloveni, ku kryetari i atëhershëm Danilo Tyrk kishte refuzuar që t’ia jep mandatin partisë së Janez Janshas edhe pse ky veçse kishte marrë përkrahjen e partive parlamentare të atëhershme.

Sipas Ziberit veprimi i Danilo Tyrk ka ardhur si rezultat i përpjekjes së tij për të formuar Qeveri me më shumë deputetë të së njëjtës parti.

“Në Slloveni në vitin 2007, kryetari i atëhershëm i Sllovenisë Danilo Tyrk, pas përpjekjes së parë për të krijuar qeveri partia me më shumë deputetë, dështoi, dhe si parti e dytë ishte partia e Janez Janshas. Por, presidenti i Sllovenisë nuk ia dha mandatin këtij të fundit dhe përbërja e re parlamentare u konsistuan dhe formoi qeverinë duke vazhduar punën qeveria dhe Parlamenti dhe asgjë nuk ishte problematike për Slloveninë. Por Maqedonia fatkeqësisht nuk është Slloveni, ku edhe pse nuk kemi formim të organeve ndërsa në rrugë vazhdojnë protestat për gjoja cenim të sovranitetit dhe unitaritetin e Maqedonisë”, tha Naser Ziberi.

Përndryshe, kreu i BDI-së Ali Ahmeti dhe ai i LSDM-së Zoran Zaev, u takuan dje në selinë e LSDM-së për të gjetur mënyrë se si të mblidhet parlamenti.

Ahmeti pas takimit me kreun e LSDM-së Zoran Zaev, ka thënë që prioritet i partive aktualisht është strategia për rivënien në funksion të institucioneve të vendit, veçanërisht Kuvendit.

Ahmeti ka deklaruar po ashtu, se për këtë është i nevojshëm dialogu mes të gjithave partive.

I pyetur për formimin e qeverisë, Ahmeti ka deklaruar se më e ngutshme është rivënia në funksion e Kuvendit, më pas kreu i institucionit ligjvënës edhe zyrtarisht të njoftohet presidenti Ivanov për formimin e shumicës parlamentare dhe programin e qeverisë me qëllim të dhënies së mandatit.

LEXO: Pa lejen e VMRO-DPMNE-së, Ahmeti nuk e ka ndërmend të pranojë seancë kuvendore (VIDEO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button