Ancelotti: S’bëjmë llogari, duam fitore

Edhe pse takimin e parë e ka fituar 3-0, Real Madrid do të luajë ndaj Borussia Dortmund vetëm për fitore. Kështu është shprehur Carlo Ancelotti, në konferencën për shtyp në vigjilje të takimit të sotëm (e martë).

“Jemi vetëm një hap larg gjysmëfinaleve, ky është një motivim më shumë për ne. Nuk do të ndryshojmë asgjë në mënyrën se si luajmë. Ata duhet të shënojnë 4 gola, ndërsa neve na mjafton 1 për të mbyllur çështjen e kualifikimit. Skuadra është mirë fizikisht dhe psikologjikisht. Humbjet me Barça-n dhe Sevilla-n janë lënë pas krahëve”, u shpreh tekniku italian.

Në dyshim është prezenca e Cristiano Ronaldo-s, i cili javët e fundit ka pasur një problem në tendinën e gjurit. “Do të vendosim pas përgatitjeve të fundit. Do të luajë vetëm nëse do të jetë në 100% të formës së tij. Të ishte për mua do të luante gjithnjë, por kur nuk është mirë nuk duhet të rrezikojmë. Ai e njeh më mirë se ne trupin e tij, ndaj dhe nuk duhet ta vendosim para rrezikut”, tha më tej Ancelotti.

Sa i përket formacionit të “merengues”-ve, ai ka shtuar se “duhet të jetë i ekuilibruar. Duam të luajmë gjithnjë në sulm, por kur duhet të mbrohemi do ta bëjmë të gjithë bashkë. Bale është rikuperuar dhe mund të luajë nga fillimi. Pepe e Ramos do të jenë në qendër të mbrojtjes, ndërsa do të luajë edhe Coentrao”. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button