PDSH dhe Iljaz Halimi në vitin 2000 votuan kundër që një shqiptar të bëhet kryetar i Parlamentit

Një nga argumentet kyçe të Partisë Demokratike Shqiptare për nxjerrjen e kandidati për president, Iljaz Halimi është se mund ti fitojë rreth 300 mijë vota të shqiptarëve, të kalojë në rrethin e dytë dhe më pas të bëhet president. Por gjasat e tilla janë shumë të vogla duke pasur parasysh interesimin e vakët të shqiptarëve ndër vite për të votuar për president si dhe bojkotin që e paralajmëron BDI-ja.

Realisht, PDSH tani kërkon të pamundurën. Mirëpo, në vitin 2000 nuk ishte e pamundur që si kryetar i Parlamentit të Maqedonisë të emërohet një shqiptar – lideri i atëhershëm i PPD-së, i ndjeri Abdurahman Aliti. Munguan vetëm pesë vota pro që Aliti të shpallej kryetar, por PDSH votoi kundër zgjedhjes së tij.

Më 30 nëntor të vitit 2000 deputetët e Partisë për Prosperitet Demokratik, në mbledhjen e 61 të Parlamentit të Maqedonisë kishin propozuar Abdurahman Alitin për kryetar të Parlamentit të Maqedonisë. Por, PDSH dhe Iljaz Halimi dora vetë, duke votuar kundër, së bashku me disa deputetë të tjerë shqiptar që ishin të përmbajtur, nuk e përkrahën këtë propozim dhe pamundësuan që një shqiptar të bëhet kryetari i parlamentit te Maqedonisë. 

Si që mund të shihet nga stenogrami i Parlamentit në faqe 58, nga 119 deputet, 55 kanë votuar për, 37 kundër ndërsa 17 kanë qenë të përmbajtur. Nga 37 votat kundër, 9 janë të PDSH-së. 

Faton Aliti: PDSH dhe Halimi dëgjuan VMRO-në, nuk zgjodhën babën tim

“Atëherë edhe pse gjithçka varej prej tyre, ata respektuan dëshirën e VMRO-së. Kurse tani edhe pse nuk ka mundësi të bëhet kryetar shteti Halimi kërkon votat e gjithë shqiptarëve. Vallë, në vitin 2000 ishit apo nuk ishit shqiptar ju?! Kërkojnë diçka që kur duhej nuk e bënë” shprehet për Portalb, djali i të ndjerit Abdurahman Aliti.

Motivet e kyçjes së PDSH-së në këto zgjedhje presidenciale shihen me sy të dyshimtë, sidomos pas takimit të Thaçit me drejtorin e DZK, Sasho Mijallkov. Pas kësaj, PDSH nga thirrja për bojkot ndryshoi mendje dhe nxori Halimin për kandidat duke tentuar ta bind popullatën se presidenti shqiptar është i mundshëm. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button