Maqedonia e çudirave

Me vështirësi u caktua data për zgjedhje të parakohshme.

Pas zgjedhjeve, nuk është punë të formohet qeveria dhe të përbëhet kuvendi.

Presidenti e privatizoi shtetin në dobi të partisë që përpiqet ta privatizojë popullin.

Shqetësohen se pse presidenti e shkeli kushtetutën, por fare pak brengosen se pse kushtetuta i shkelë shqiptarët.

Kriza politike thellohet aq thellë sa preket shtresa e ndjeshme e sigurisë.

Patriotët e verbër maqedonas, ditën punojnë nëpër institucione shtetërore, kurse në mbrëmje punojnë për rrënimin e vetë shtetit.

Bujqit nuk protestojnë për çmimin qesharak të qumështit, por për ruajtjen e shtetit prej gjuhës shqipe. Aq marrin vesh! 13 denarë kushton një litër qumësht, kurse 20 denarë një litër ujë. Mendja u është bërë dhallë, ndaj edhe nuk protestojnë për çmimin qesharak të qumështit.

Protestuesit e verbër thonë se nuk kanë atdhe rezervë, kurse në anën tjetër harrojnë se edhe gjuhë rezervë nuk mund të ketë.

Analistët shqiptarë janë në garë me politikanët shqiptarë se kush më mirë po e përshkruan gjendjen.

Administratorëve shtetëror të cilët marrin rroga duke qëndruar në shtëpi, sakaq iu shoqëruan edhe deputetët të cilët marrin rroga pa shkuar në kuvend.

Zaevi që shihej si i guximshëm, filloi t’i ndryshojë fjalët si kameleoni ngjyrat.

Gjuha shqipe u premtua si gjuhë zyrtare, kurse punohet që ajo të përfundojë si gjuhë me një përdorim më të avancuar.

Shqipëria bombardon me fjalë, mirëpo pa menduar mirë për pasojat e atyre fjalëve.

Krimit të politikanëve i është vërë një flamur i madh. Po e preke krimin e tyre, të akuzojnë për shpërdorim të flamurit.

Flitet për luftë, kurse askush nuk habitet se një gjë e tillë lehtë mund të ndodhë, kur dihet se në çfarë gjendje të brishtë është shteti dhe shoqëria.

Luftën askush nuk e dëshiron, mirëpo si rrjedhojë e kërcënimeve me luftë, askush nuk e ka ndërmend t’i zmbrapsë kërkesat dhe kushtet. Të paktën kështu duhet të jetë!

Urrejtjen ndaj shqiptarëve, maqedonasit po e shprehin duke u mishëruar me pakicat joshqiptare.

Lajmet për ndarjen e Maqedonisë na bombarduan, edhe pse ky shtet për sa i përket investimeve publike qysh moti është ndarë.

Protagonistë të partisë shqiptarë që ishte ortake në keqbërje me njerëz të partisë maqedonase, tani përmes paraqitjeve pamore duan ta luajnë rolin e të ndershmit dhe të patriotit. Normalisht, këtë ia mundësojnë mediumet e kapërthyera prej biznespolitikës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button