Rusia paralajmëron për luftë civile në Ukrainë

Rusia ka paralajmëruar Kievin se çdo përdorim i forcës në lindje të Ukrainës, ku protestuesit pro-rusë kanë zaptuar ndërtesat qeveritare në disa qytete, mund ta çojë vendin drejt një lufte civile.

“Bëjmë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të përgatitjeve ushtarake, të cilat shfaqin rrezikun e luftës civile”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme ruse.

Kjo deklaratë vjen pasi ministri i Brendshëm i Ukrainës, Arsen Avakov, ka thënë se ka nisur një operacion antiterrorist në qytetin Kharkiv.

Sipas tij, 70 separatistë janë arrestuar për zaptimin e ndërtesave administrative rajonale.

Aktivistët pro-rusë kanë zaptuar ndërtesat qeveritare në qytetet lindore Kharkiv, Luhansk dhe Donetsk, duke kërkuar referendum për bashkim me Rusinë.

Ndërkohë Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ka paralajmëruar Rusinë se çdo ndërhyrje në lindje të Ukrainës do të ishte “gabim historik”.

Duke folur sot në Paris, Rasmussen ka thënë se intervenimi i mëtejshëm i Rusisë në Ukrainë do të ketë pasoja të rënda për marrëdhëniet e Moskës me NATO-n dhe do ta izolojnë Rusinë në aspektin ndërkombëtar.

Që pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, NATO-ja ka pezulluar të gjithë bashkëpunimin praktik me këtë shtet./ Ora News/

Lajme të ngjashme

Back to top button