fbpx

Çitaku: Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave

Liberalizimi i vizave më tepër është një vendim politik sesa përmbushje e kritereve, ka vlerësuar ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku. Republika e Kosovës i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave, por Komisioni Evropian, nuk po dërgon komisionet për vlerësimin e tyre, tha Çitaku.

Çitaku para studentëve të UBT-së ka pranuar se liberalizimi i vizave është më tepër vendim politik sesa përmbushja e kritereve të caktuara për Kosovën drejt liberalizimit të vizave. Çitaku këtë e ka argumentuar me vendimet e Komisionit Evropian për heqjen e vizave për disa shtete të Azisë dhe Amerikës Latine.

“Këtë vit, Komisioni Evropian ka rekomanduar heqjen e vizave për Emiratet e Bashkuara Arabe, Kolumbinë, Perunë, vendet e Karikomit sërish bazuar në vendime politike, jo në udhërrëfyes apo përmbushje kriteresh teknike në fusha të ndryshme që ne na janë diktuar. A është kjo fer? Nuk është fer” , tha ajo, raporton RTK.

Megjithatë, Çitaku tha se Kosova i ka përmbushur kriteret e vendosura nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave. Dhe kjo, e ka ndihmuar gjithsesi zhvillimin e vendit. Por, Çitaku shprehu zhgënjimin e saj lidhur me vonesat që po i bënë Komisioni Evropian në vlerësimin e kritereve për Kosovën.

“Dua të shpreh para jush, zhgënjimin tim me tempin e ulët dhe të ngadaltë me të cilën Komisioni Evropian po i përgjigjet entuziazmit, përkushtimit dhe punës që kanë bërë të gjitha institucionet e Kosovës, pa dallim, në përmbushjen e kritereve. Lajmi i keq është që KE nuk i ka dërguar ende komisionet për përmbushjen e kritereve”, pohoi Çitaku.

Në ligjëratën “Rruga drejt Evropës” Çitaku tha se Kosova nuk është e gatshme të jetë anëtare e BE-së, por gjithsesi është e gatshme të nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.

Lajme të ngjashme

Back to top button