7574 persona të sëmurë dhe të paaftë janë regjistruar për të votuar

7574 persona të sëmurë dhe të paaftë janë regjistruar për të votuar për zgjedhjet presidenciale më 13 prill në Maqedoni.

Kjo shifër ka mbërritur nga 72 komisionet komunale zgjedhore në adresën e Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ).  Por, anëtarë të KSHZ-së kanë shfaqur dilema dhe kanë kërkuar shqyrtimin e kësaj shifre.

Anëtari i KSHZ-së, Bedredin Ibrahimi kërkoi se Komisioni të verifikojë fletëparaqitjet, duke marrë parasysh numrin e madh të personave të kësaj kategorie të paraqitur në disa komuna. Ka një diferencë të madhe të kërkesave në disa komuna dhe dallojnë shumë nga njëra tjetra. Por nga VMRO-DPMNE kanë kërkuar që verifikimi të bëhet pas zgjedhjeve, me qëllim të shmanget bllokimi i procesit të zgjedhjeve.

Anëtarja e LSDM-së, Violeta Duma theksoi se ka dyshime sepse një mjek ka nënshkruar vërtetime për 78 persona dhe kjo shton dyshimin. Kjo ka ndodhur në Resnjë, ku nga 178 vërtetime, 78 janë dhënë nga një mjek.

Numri më i madh i kategorisë së të sëmurëve dhe të paaftëve është regjistruar në Veles  ku janë 522, në Radovish 505, Strumicë 411, Shtip 300, Prilep 248, etj. Kjo kategori e qytetarëve voton një ditë para zgjedhjeve.

Lajme të ngjashme

Back to top button