Rroga e presidentes Jahjaga do të rritet në 4100 euro

Nga vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave më së shumti do të përfitojë presidentja e vendit, Atifete Jahjaga. 

Gazeta ‘Tribuna’ në Prishtinë ka shkruar sot se rritja e rrogave e përfshin edhe presidenten, ashtu që nga 1 maji rroga e presidentes Jahjaga do të lëvizë deri në 4100 euro. Rroga e saj bruto deri tani ka qenë 3300 euro. 

Fati i njëjtë me Jahjagën e ka shoqëruar edhe kryeparlamentarin Jakup Krasniqi i cili nga maji do ta ketë pagën prej rreth 3000 euro bruto. Edhe vartësit e Krasniqit, nënkryetarët e Kuvendit të cilët deri tani janë paguar nga 2000 euro në muaj, që nga maji do të përfitojnë pagat me rritje prej 25%, apo 2500 euro. 

Njësoj, rritje do të marrin edhe të gjithë deputetët. Paga e deritashme e një deputeti ka qenë 1480 euro, ndërsa nga maji ata do të marrin pagë prej 1850 euro. Pas këtyre zyrtarëve, edhe kryeministrit Hashim Thaçi do t’i lëvizë paga nga 1600 sa e ka pasur deri tani në 2000 euro. Rritja e rrogave për 25 për qind do të bëhet për 240 mijë administratorë, punëtorë dhe të punësuar të tjerë që janë në kuadër të buxhetit shtetëror.

Lajme të ngjashme

Back to top button