fbpx

Berisha: Policia fsheh grabitjet e banesave

Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se Policia e Shtetit fsheh të dhënat për rastet e grabitjes së banesave. Përmes një postimi në Facebook, Berisha deklaron se qeveria për të përmirësuar rendin, ka urdhëruar Policinë që vjedhjen e banesave ta heqë nga lista e krimeve të përfillshme.  

“Të dashur miq, këto muaj çdo ditë dëgjojmë për eksplozione tritoli që marrin jetë njerëzish, vrasje, grabitje me maska, karvane droge, por nuk dëgjojmë më për asnjë rast vjedhje banesash. Këtë sukses, qeveria Rama – Meta e ka arritur me “punë shumë të madhe”, por të thjeshtë. Rama, për të përmirësuar rendin, ka urdhëruar Policinë që vjedhjen e banesave ta heqë nga lista e krimeve të përfillshme. Prandaj dhe ne nuk dëgjojmë më për asnjë rast thyerje apo vjedhje banese”, shkruan Berisha. Por për ish-kryeministrin realiteti është krejt tjetër, pasi sipas tij sot vjedhjet e banesave janë një epidemi e vërtetë. “Kështu, banoret e Dropullit, në një takim me përfaqësues të Aleancës së 1 prillit, i dorëzuan listën e 203 banesave të vjedhura vetëm tre muajt e fundit nga persona që nuk kapen nga Policia. Me sa duket suksesi tjetër i qeverisë do jenë maskat, e kështu me radhë!”, shkruan Berisha.  

Demokratët janë shumë të shqetësuar për sigurinë dhe rendin saqë të hënën e kësaj jave në Kuvend zhvilluan interpelancën me kryeministrin Edi Rama. Ish-kryetarja e Kuvendit akuzoi qeverinë se nuk po u garanton qytetarëve sigurinë e jetës dhe atë ekonomike. Topalli tha se pa u larguar qeveria “Rama” nuk mund të ketë siguri në Shqipëri dhe paralajmëroi se protesta e 20 shkurtit ishte vetëm fillimi. “Gjuha juaj ishte gjuhë tritoli. Nëse jeni krenarë për gjendjen në të cilën është Shqipëria, pse të mos qeverisë Zani Caushi, çfarë ndryshimi ka? Fole se ne kemi pasë probleme, po cili është kriteri i vlerësimit me partnerët ndërkombëtarë. Do hynim në NATO, do hiqeshin vizat nëse nuk i plotësonim kriteret”, është shprehur ajo.  

Lajme të ngjashme

Back to top button