Kisha pranë përfundimit, shkolla ende askund!

Kisha e cila po ndërtohet në lagjen Vizbeg të Shkupit, është shumë pranë përfundimit, kurse shkolla fillore periferike ‘Kilment Ohridski’ vazhdon të jetë e mbyllur dhe pothuajse  e rrënuar.

Banorët e kësaj lagje thonë se punimet për ndërtimin e kësaj kishe po zhvillohen në mënyrë intensive, kurse nuk e kanë të qartë se pse shkolla e këtij fshati është lënë në atë mënyrë, dhe  fëmijët e tyre maltretohen duke udhëtuar deri në Shuto Orizarë për të ndjekur mësimin.

“Thonë se kur ka vullnet gjithçka bëhet, këtë po e shohim me ndërtimin e kishës, vullneti i komunës është shumë i madh dhe për këtë arsye aty po punohet intensivisht, kurse shkolla as nuk rregullohet dhe as nuk ndërtohet një e re për fëmijët tanë të cilët duhet të udhëtojnë deri në një komunë tjetër për të mësuar”, tha Ismet H. nga Vizbegu.

“Na kanë thënë se kjo shkollë është e demoluar dhe se do të ndërtohet një shkollë e re, por ajo nuk po ndërtohet. Nëse nuk ka fonde të mjaftueshme nuk e kuptojmë se pse nuk investohen në objektin ekzistues. Thjesht anashkalohemi nga komuna dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës”, tha një tjetër banor i Vizbegut.

Ndërkaq nga komuna e Butelit kohë më parë thanë se në Vizbeg është paraparë të ndërtohet shkollë fillore por edhe foshnjore për parashkollorët, mirëpo tani është duke u ndërtuar shkollën ‘Zhivko Brajkovski ‘ dhe fatkeqësisht nuk ka kapacitet që të ndërtojë dy objekte shkollore në të njëjtën kohë.

Ndryshe, sipas regjistrimit të popullsisë së viti 2002 fshati Vizbeg kishte 2,817 banorë nga të cilët 2,069 ishin shqiptarë, 650 maqedonas, 16 rom, 14 boshnjake, 5 vlleh, 3 turq, 46 serb dhe 14 tjetër. 

Lajme të ngjashme

Back to top button