Partitë nuk kursehen nga fjalori i urrejtjes për akuza të ndërsjella

Në prag të fillimit të fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe ato presidenciale, partitë politike nuk kursehen nga fjalori i ashpër i urrejtjes për akuza të ndërsjella. 

Atmosfera e tillë, sipas komunikologëve, nxitet më së shumti nga fjalori i politikanëve, ndërsa shumë shpejtë transferohet mes anëtarësisë, me theks të veçantë në rrjetet sociale. Aktivisti për të drejtat e njeriut Petrit Saraçini vlerëson se kjo atmosferë u krijua pas fjalorit të kryeministrit Gruevski i cili kërkoi 62 deputetë për të mos u kushtëzuar nga partitë shqiptare, transmeton Alsat.

‘VMRO DPMNE-ja e nisi fushatën duke kërkuar 62 deputetë që të mos kushtëzohet nga BDI-ja. Edhe BDI-ja po e bën të njëjtën gjë, po kërkon numër sa më të madh të deputetëve që të vë me më relevancë platformën e vet para partnerit të ardhshëm qeveritar. Kjo na tregon se të dyja partitë e kanë vendosur që në këtë fushatë të profilizohen më tepër duke iu kushtuar interesave kombëtare, që medoemos do të rezultojë me konfrontim të simpatizuesve dhe gjuhë të urrejtjes’, tha Petrit Saraçini, aktivist për të drejtat e njeriut.

Ndërkohë LSDM-ja, përveç fjalorit të urrejtjes, si shqetësuese nënvizon edhe atmosferën në terren, që kulmoi me bombë në zyrat e forumit rinor të LSDM-së në Karposh muajin e kaluar.

“Nuk jemi të shqetësuar vetëm për gjuhën, por edhe për atmosferën dhe ndodhitë që i paraprijnë kësaj fushate. Të mos harrojmë, ishte hedhur bombë para shtabit të LSDM-së, në të cilin për momentin rrinin 30 të rinj. Pavarësisht a janë anëtarë të LSDM-së, 30 të rinj mund të pësonin në qendër të kryeqytetit. Sot e kësaj ditë MPB-ja nuk doli me asnjë informatë”, deklaroi Radmilla Shekerinska, LSDM.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, Vllatko Gjorçev nga VMRO DPMNE vlerëson se partia e tij po udhëheq fushatë korrekte.

“Sigurisht që kjo fushatë do ti ngjajë edhe fushatave të tjera, por ajo që ne do të mundohemi ta nënvizojmë do të jenë projektet që i kemi realizuar, dhe ajo që planifikojmë për 4 vitet e ardhshme. Jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra”, tha Vllatko Gjorçev, VMRO.

Mes partive politike të bllokut shqiptarë deri tani gjuha e urrejtjes është kufizuar vetëm në rrjetet sociale, pa ndonjë ekses në terren. Lideri i BDI-së Ahmeti ditë më parë i bëri thirrje anëtarësisë të mos bie pre e provokimeve dhe fyerjeve të mos u përgjigjen në të njëjtën masë. 

“Do të fillojë fushata. Sigurisht se ka njerëz të papërgjegjshëm, të pandërgjegjshëm te oponentët tanë, neve nuk na ka hije. Rrugaçit i ka hije gjithçka, shanë, fyen. Por fisnikut jo”, u shpreh Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.
Sipas afateve ligjore, fushata për zgjedhjet presidenciale fillon më 24 mars, ndërsa për zgjedhjet parlamentare më 5 prill.

Lajme të ngjashme

Back to top button