Gadishulli i Krimesë shpallet Republikë Autonome

Ndërsa gjendja mes Rusisë dhe Ukrainës mbetet e tensionuar, Parlamenti i gadishullit të Krimesë ka marrë një hap të rëndësishëm ditën e sotme.

Deputetët prorusë, të cilët përbëjnë edhe shumicën në Parlamentin e Krimesë, miratuan me 78 vota pro deklaratën e pavarësisë së Krimesë. Sipas kësaj deklarate gadishulli i Krimesë shpallet “Republikë Autonome”, duke bërë që ky rajon të jetë tashmë i pavarur nga Ukraina. 

“Një deklaratë pavarësie për Republikën Autonome të Krimesë dhe të qytetit të Sevastopolit u miratua sot nga 78 deputetë nga 81 të pranishëm”, -citohet në një komunikatë për shtyp të Parlamentit të Krimesë. 

Ky hap vjen pak ditë përpara mbajtjes së referendumit në Krime, nëpërmjet të cilit forcat proruse po kërkojnë që Krimea të ndahet nga Ukraina dhe të bashkohet më Rusinë.

Referendumi, i cili pritet të mbahet të dielën, u cilësua si antikushtetues nga autoritetet e Kievit

Këta të fundit deklaruan se nuk do të njohin asnjë referendum dhe se nuk do të lejojnë që të cënohet integriteti territorial i Ukrainës./Shekulli Online/

Lajme të ngjashme

Back to top button