Esnafët u bëjnë apel partive shqiptare që të bashkohen

Shoqata që përfaqësojnë tregtarë dhe zejtarë kanë bërë thirrje për bashkimin e partive shqiptare në garën e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale. 

“Esnafi i Çarshisë së Shkupit dhe Shoqata e tregtarëve të tregjeve të Gjelbra “Prosperiteti” u kanë kërkuar partive që të bashkohen rreth një liste zgjedhore për t’i implementuar përfundimisht marrëveshjet e vjetra dhe për t’i realizuar më lehtë të gjitha kërkesat që realisht u takojnë shqiptarëve, por pa e suspenduar demokracinë qytetare dhe paqen. “Duke pasur parasysh se shqiptarët gjithnjë e më shumë po përballen me varfërinë, atëherë ju bëjmë me dije se është obligimi ynë moral e kombëtar që t’ju ftojmë ta demonstrojmë “armën” tonë më të fuqishme, bashkimin, rreth një liste të përbashkët për zgjedhjet parlamentare, dhe një strategji te përbashkët veprimi te prekshme dhe e dukshme gjithandej. Është çasti historik që ta dëshmojmë pjekurinë morale, politike, intelektuale dhe kombëtare. Është çasti historik të dëshmojmë se ne mund të mobilizohemi për ta treguar fuqinë tonë politike, por edhe të dëshmojmë se shqiptareve në Parlamentin e Maqedonisë u takojnë me shumë se 30 deputetë. Me këtë numër të deputetëve shqiptarët fare lehtë mund t’i jetësojnë të gjitha të drejtat që u takojnë”, thuhet në komunikatën e Shoqatës që përfaqësojnë tregtarë dhe zejtarë.
 
Ata nuk kërkojmë që shqiptarët të identifikohen me vetëm një parti, përkundrazi, duke i ruajtur programet, qellimet,  synimet, veçorit e tyre ne vlerësojmë se janë rrethanat dhe momenti që të bashkohemi rreth një liste.

“Pasi të realizohet ky projekt, atëherë sërish në zgjedhjet e ardhshme partitë shqiptare mund dhe duhet të garojnë veç e veç. Jemi të bindur se apelin tonë do ta shqyrtoni seriozisht dhe për një moment do t’i harroni të gjitha mosmarrëveshjet, me qëllim që ta tregojmë fuqinë tonë politike”, është thënë në apelin e këtyre dy shoqatave. 
 
Shoqatat vlerësojnë se bashkimi është i nevojshëm duke marrë parasysh faktin e përkeqësimit të gjendjes së shqiptarëve në Maqedoni në çdo aspekt, ndërsa kryeministri aktual maqedonas, përmes një retorike nacionaliste, kërkon 63 deputetë për të mos u varur më nga shqiptarët. 

“Pas këtij defaktorizmi qëndron tendenca e minimalizimit të kërkesave shqiptare, ndërsa shqiptarët asnjëherë deri më tani nuk arritën ta marrin hisen e tyre të vërtetë. Ndërkohë, akoma nuk është jetësuar ashtu siç duhet Marrëveshja Kornizë e Ohrit”, theksohet ndër të tjera në këtë komunikatë me njerëzit e parë të saj Muhedin Brava e Ekrem Dolek.

Lajme të ngjashme

Back to top button