Marrëveshje për bashkëpunim mes Akademisë së Shkencave të Kosovës dhe Maqedonisë

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Akademinë e Maqedonisë. Duke iu referuar ‘incidentit’ të vitit 2009 me enciklopedinë maqedonase ku shqiptarët nënshkruheshin si njerëz malorë, Krye akademiku maqedonas Vllado Kambovski ka thënë se ajo që kishte ndodhur atëherë ka qenë një keqkuptim.

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), Hivzi Islami ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me kryetarin e Akademisë së Shkencave të Maqedonisë, Vllado Kambovski, me qëllim të bashkëpunimit të të dy akademive në fusha të ndryshme si kulturë, shkencë dhe të tjera.

Kryetari i ASHAK-ut, Hivzi Islami ka thënë se qëllimi kryesor i nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje është një popullatë e gjerë që jeton në shtetin e Maqedonisë.

“Kjo marrëveshje midis dy vendeve tona ka një rëndësi të veçantë sepse jemi vende fqinje, kemi marrëdhënie stabile pa asnjë problem, nuk kemi as probleme kufitare, as probleme me lëvizje të mallit dhe njerëzve dhe e dyta që ka një rëndësi, në Maqedoni jeton një popullatë e gjerë, e madhe autoktone shqiptare e cila dëshiron ta zhvilloj, ta kultivoj kulturën edhe përmes përfaqësuesve të vet maqedonë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve”, ka thënë ai.

Ndërsa, kryetari i Akademisë së Maqedonisë, Vllado Kambovski, i pyetur për enciklopedinë maqedonase e botuar vite më parë e për të cilën kjo akademi ishte kritikuar për të dhëna jo të drejta, është shprehur se shkrimet e tilla kanë qenë vetëm keqkuptime dhe mungesë e komunikimit në me të dy akademive, gjë që sipas tij, po ndodh tani.

“Ka qenë mungesë komunikimi dhe pikërisht ky komunikim nuk ka lejuar që të ketë informata të sakta për problemet e përfshira në atë enciklopedi edhe historike, edhe aktuale dhe pikërisht këtë po synojmë që të mos ketë pengesa të tjera komunikimi dhe që mund ta njohim njëri-tjetrin më mirë”, ka deklaruar ai.

Kryetari Islami ka deklaruar se marrëveshja e nënshkruar len hapësirë edhe për shkëmbim të stafit akademik si dhe publikimeve shkencore në mes të dy vendeve.

Më 2009, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Maqedonisë kishte fyer shqiptarët duke shtrembëruar historinë.

“Shqiptarët në Maqedoni kanë ardhur nga Shqipëria veriore. Ata, kanë kolonizuar viset në Maqedoni në shekullin XVI, duke i dëbuar maqedonasit nga shtëpitë e tyre” thuhej në atë botim.

“Vërshimin e tyre drejt Maqedonisë e ka mundësuar Ali Pashë Tepelena. Shteti i parë shqiptar është formuar nga Gjermania fashiste, e cila kufijtë e këtij shteti i zgjeroi në rajonet e Maqedonisë perëndimore. Shqiptarët, veç tjerash, njihen edhe si njerëz malorë”.  

Lajme të ngjashme

Back to top button