OEMVP realizoi takim pune për harmonizimin e platformës ekonomike

Kryesia e ngushtë e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore sot realizoi takim me përfaqësuesit e sekretariatit ekonomik të BDI-së, njëkohësisht edhe anëtarë të Komitetit partiak për përgatitjen e Platformës zgjedhore të BDI-së për zgjedhjet parlamentare në prill, ministrin e ekonomisë z. Valon Saraqinin, zëvendës kryeministrin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për çështje evropiane z. Fatmir Besimi, ministrin për Mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe planifikimin hapësinor z. Abdylaqim Ademi dhe drejtorin e Agjencionit për investime të huaja z. Visar Fida.

Qëllimi kryesor i takimit ishte që të bëhet një vlerësim i përgjithshëm i situatës ekonomike në Republikën e Maqedonisë, si dhe të identifikohen pikat kryesore të bashkëpunimit në të ardhmen me sektorët që mbulojnë sferën ekonomike. Gjithashtu, u diskutua edhe  përmirësimi  i kushteve ekonomike për investitorët vendorë krahasuar me përfitimet që kanë investirorët e huaj në Maqedoni  si edhe mundësia e tërheqjes së investimeve nga diaspora.

“Këtë takim e bëjmë duke parë bashkëpunimin me pushtetin lokal si një ndër bashkëpunimet që formojnë qelizën e jetës ekonomike në vend”, tha Menderes Kuçi, Kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore.

“Një rëndësi të veçantë për ne ka harmonizimi i platformës ekonomike të OEMVP-së me të gjitha subjektet, sepse në këtë mënyrë ajo do prahohet nga të gjithë dhe e njëjta do shërbejë si bazë gjatë realizimit të koalicioneve paszgjedhore të cilat duhet të jenë çdoherë në shërbim të krijimit të kushteve më të mira si për bizneset ashtu edhe për qytetarët  e vendit. Deri më sot, ne kemi patur një bashkëpunim të mirë me të gjithë ministrat shqiptarë  dhe besojmë që ky bashkëpunim do vazhdojë edhe në të ardhmen” – theksoi kryetari Kuçi.

Zv. Kryeministri për çështje evropiane z. Fatmir Besimi, falëmenderoi OEMVP-në për bashkëpunimin e deritanishëm, duke potencuar se bashkëpunimi i mirëfilltë me sektorin e biznesit dhe me OEMVP-në në veçanti do vazhdojë edhe në të ardhmen, me qëllim që të gjithë së bashku të angazhohemi për krijimin e një klime sa më të mirë për biznes në vendin tonë.

Ministri i Ekonomisë z.Valon Saraqini theksoi se vërejtjet e OEMVP-së do të shqyrtohen me kujdes dhe do të përfshihen në programin ekonomik të tyre. “Si Qeveri ne jemi të përqëndruar në zgjidhjen e problemeve kyçe ekonomike përmes reformave strukturore dhe në këtë drejtim vazhdojmë me tempo të pazvogëluar. Diversifikimi i prodhimtarisë, nxitja e firmave të vogla dhe të mesme, rritja e konkurrencës dhe e inovacionit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, zvogëlimi i varësisë energjetike dhe nxitja e eksportit janë çështjet të cilave do t’iu kushtojmë vëmendje të veçantë”, deklaroi ministri  z. Saraqini. 

Nga ana tjetër, Drejtori i Agjencionit për investime të huaja z. Visar Fida prezantoi rolin e agjencisë dhe nevojën e një bashkëpunimi më të drejtpërdrejtë ndërmjet investitorëve të huaj dhe bizneseve vendore, me qëllim të nxitjes së një bashkëpunimi të shëndoshë që do u mundësonte bizneseve vendore  eksperiencë të re bashkëpunimi, por njëkohësisht edhe realizim të punëve ose shërbimeve për investitorët e huaj në Maqedoni, pra edhe përfitime direkte për kompanitë e tyre.

Kompanitë që investojnë në zonat e lira ekonomike gëzojnë lehtësime tatimore dhe doganore si dhe mundësi më të lehtë për eksportin e prodhimeve të tyre, dhe gjatë takimit u bisedua rreth nivelizimit të kushteve për investim, që përveç për investitorët e huaj, të njëjtat të vlejnë edhe për ato vendas.

Lajme të ngjashme

Back to top button