Mr. BARDHI

Sa zbriti nga autobusi urban, Rroni e dëgjoi një njeri si thërriste:

“Ramadan, o Ramadan… O koljega”!…

Rroni nuk e ktheu kokën, por shpejt pastaj dikush e preku në sup! Ai e ktheu tash kokën dhe e pa Dimçen, ish kryepunëtorin e një ndërmarrjeje ndërtimtare, ku kishte punuar Rroni në të ritë e vet, Dimçen i cili, thuajse gjithmonë, asokohe të gjithë shqiptarët i thërriste “Ramadan”, kinse si për shaka, kinse si me simpati.

 “Oooo, Dajmçe! A ti koljega qenke”?

Dimçja,  me gjithë pedanterinë në të veshur, diktohej se ishte fshatar. Më shumë nga theksi, nga e folmja e tij. Me Rronin kishin punuar dikur bashkë në ndërtimtari, Dimçja kryepunëtor, kurse Rroni, kuptohet,  punëtor. Asokohe Dimçja, si kryepunëtor, gjithmonë u drejtohej punëtorëve  që thuajse të gjithë ishin shqiptarë me “Ramadan”: “Oooo Ramadan”! “Ramadan, te tullat… Ramadan, te çimentoja, Ramadan – beton”… Kurse punëtorët, kah t’ia mbajnë,  u mësuan me këtë, ndonëse kjo e thërritur, – “Ramadan” – u shkonte si thumb thellë në shpirt dhe u lente vragë. Se, dihet kjo më, nuk ishte shaka kjo që u drejtohej me “Ramadan”, por, ta merr mendja,  më shumë ishte fyerje. Një fyerje që shkonte në adresë kolektive të shqiptarëve dhe që vinte nga një adresë tjetër kolektive e “bashkëjetesës”, e  cila ishte e bindur se kishte të drejtën e superioritetit ndaj kolektivitetit tjetër që e quante me gjithfarë emrash dhe e shikonte prej së larti. Qëndrimi i këtillë, gati se përbuzës ndaj shqiptarëve, e ka pasur edhe mbështetjen të gjitha institucioneve, për të cilat “Ramadanat” ishin qytetarë të rendit të dytë.  (Nofka përndryshe është “import” nga Serbia nga fyerja bajate që qarkullonte me vite në ushtrinë serbo-jugosllave: “?????? ???????, ??? ??????? ?? ??? ? ???? ?? ??????“ që do të thotë: ushtari Ramadan, tre porcione në dit, përsëri i pangirë) 

“A je për kafe”? pyeti Dimçeja. 

“Po, do ta pi një kafe me ty, Dajmçe”. 

“Nga na doli kjo Dajmçe tash? Dikur më thirrje shoku Dimçe”? 

“Epo, unë jam Rroni e s’më ka mbetur hatri kurrë që me vite më ke thërritur mua dhe të gjithë ne shqiptarëve “Ramadan” ose “??????”, ose “?????” ose “?????” e ku ta di unë sa nofka të ngarkuara me barrë të rëndë fyerjeje na keni ngjitur… Po koljega? Edhe ajo lj-ja juaj i ka thumbat me helm”!… Dimçja e shikonte i habitur. “Unë të thashë Dajmçe, se kështu të thërrisnin dibranët. Pse a mos sheh ndonjë thumb, ndonjë fyerje, në të thërriturën time”?

“Shiko, shiko”… bëri Dimçeja. “Shikoje ti njëherë Rronin e urtë”…

“Hajde, ta pimë një kafe, Dimçe”, ia zgjati dorën Rroni. Pastaj u futën në kafenenë e parë.

“Ku je tash, Rron? Moti s’të kam parë”…

“Në Amerikë”, u përgjigj Rroni.

“Në Amerikë”? 

“Po, po… Në Amerikë”.

“Në ndërtimtari punon”?

“Po… por…”

“Çfarë, por…”?

“Atje nuk jam më ‘Ramadan’, si në ndërmarrjen tonë të dikurshme”, tha Rroni. 

“Nuk të kuptova”, bëri Dimçja.

“Në Amerikë e kam bërë një firmë ndërtimesh bashkë me dy vëllezërit e mi”.

“Shiko, shiko… Po si ju shkon puna”?

“Po, Dimçe… S’kam kohë as frymë të marr. Firma jonë është e specializuar për enteriere dhe jemi shumë të kërkuar.

“Si e keni marrëdhëniet me amerikanët”?

“Mirë. Secili i shikon punët e veta. Shihemi me ta. Bashkëpunojmë”… Atje jam gastarbajter, ama nuk më fyen kush… Nuk jam ‘kosova trans’, as ‘??????’, as ‘?????’, as  ‘?????’”, u përgjigj Rroni. “Jam thjesht Mr. Bardhi. Mr. Rron Bardhi”! 

“Hajde, hajde”… 

“Po me fitim, si jeni”?

“Mirë jemi. Të tre vëllezërit kemi nga një shtëpi tonën atje dhe këtu. Tash kemi depërtuar edhe në tregun kanadez. Mirë jemi, mirë”…

“Hajde, hajde”… bëri për së dyti Dimçeja, kur erdhi kamerieri t’i pyesë se çfarë do të pinë”? I shpërndarë në kujtime, Dimçeja as nuk e pa se kamerieri ishte kthyer me dy uiski me emër të panjohur për të dhe me listat e ushqimeve.

“Çfarë është kjo”? u habit Dimçeja.

“Do të festojmë, Dimçe, që u takuam. Do të festoj me ty se ka  një çerek shekulli që s’më ka thërritur kush ‘Ramadan’, që s’jam më ‘koljega’, po jam zot i vetes sime”. Tjetër botë është Amerika, mor shoku Dimçe! Botë e lirë. Nuk është si këtu. Atje nuk të pyet kush a flet spanjisht, a flet anglisht, apo urdu”. Atje shteti u ka hapur dyert e garës e të shanseve të gjithëve, njësoj. Atje s’flitet për pastrime etnike… as për “shqiptarë të mallkuar”…

Dëgjo Rron, edhe këtu kanë ndryshuar gjërat. Nuk është si përpara. Në qeveri ka plot prej tuajve. Në Kuvend, në postë. Dhe, në Kuvend e flasin edhe gjuhën tuaj.

Pastaj drekës që e qerasi Rroni, dy të njohurit u ndanë.

Të nesërmen Rroni doli në qytet. Derisa po ecte rrugës, në punë të vet, u dëgjuan ulërima të turmave që vinin drejt tij. Dikush tha se janë “komitat”, simpatizuesit e një klubi futbollistik maqedonas, të cilët brohorisnin: “Le ta dinë shqiptarët mallkuar se emri maqedonas nuk do të tretet!”, “Maqedonia – e pastër!”…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button